Tiranë, 26 maj NOA - Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, përshëndeti sot çeljen e fushatës elektorale të Partisë Republikane, pjesëtare e koalicionit Aleanca për Ndryshim.
 "Në emër të mazhorancës dua t'ju përshëndes përzemërsisht dhe t'ju falënderoj ju republikanët, aleatët e shkëlqyer të Partisë Demokratike, për kontributin e madh që keni dhënë në këtë vend për ndërtimin e sistemit demokratik të bazuar mbi vlerat e tregut, për kontributin e madh që ju dhatë gjatë këtyre viteve në koalicionin dhe mazhorancën aktuale. Ky kontribut është nj element thelbësor i suksesit dhe arritjeve tona gjatë këtyre katër viteve" u shpreh Berisha.
Kryeministri ka falënderuar kryetarin e kësaj partie Fatmir Mediu duke shtuar se ai ka dhënë në projektin më madhor të këtij kombi, pas pavarësisë së Shqipërisë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
"Fatmir Mediu ishte një nga të parët ministra dhe drejtues që i besoi mundësisë së shndërrimit në realitet të atij projekti, në një kohë kur besimet për të ishin në nivelet minimale" shtoi Berisha.
"Ne kemi një aleancë të përsosur me ju republikanët, sepse aleanca jonë bazohet mbi vlerat e vërteta që besojmë, bazohet mbi parimet që zbatojmë, bazohet në themelin që ne kërkojnë të vëmë për sistemin tonë; vlerën e familjes, vlerën e punës, vlerën e pronës.
Ju sot vini krenare me kontributin tuaj të madh që keni dhënë për një nga çështjet më themelore, sepse prona është një nga çështjet më themelore të një rendi shoqëror. Ju keni një program të shkëlqyer, por keni ditur dhe të bëni kompromis në emër të më të madhes, keni sakrifikuar më të voglën, sepse vetëm kështu ecet" tha kryeministri.
k.k/NOA
Â