Tiranë, 26 maj NOA - Dy punonjës të policisë së shtetit kanë marrë sot Certifikatat e Diplomimit pasi përfunduan me sukses Kursin Ndërkombëtar për Oficerët e Lartë, organizuar nga Shkolla Rumune e Xhandarmërisë "Mihai Viteazul", në bashkëpunim me Xhandarmërinë Franceze.
Ceremonia u zhvillua sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ku morën pjesë Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Ambasadorja e Ambasadës Franceze në Shqipëri, Daviet Maryse, Ambasadori i Rumanisë, Viorel Stanila, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi si dhe Drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pasi u uroi suksese dy punonjësve të policisë, falënderoi Qeverinë Franceze dhe atë Rumune në kontributin që kanë dhënë në trajnimin e oficerëve të policisë shqiptare.
Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani theksoi se sot Policia e Shtetit i ka dyert e hapura vetëm mbi bazën e aftësisë, kontributit dhe aftësisë së gjithë secilit që do të ishte i interesuar të punonte në radhët e policisë.
Të rëndësishme në punën e policisë, ministri vlerësoi kontributin e misioneve policore "PAMECA" dhe "ICITAP", të cilët, me anë të asistencës së tyre, implementuan standarde të larta në Policinë Shqiptare.
Kursi Ndërkombëtarë për Oficerët e Lartë ka zgjatur për pesë muaj dhe e kanë përfunduar dy punonjës policie, Nënkomisar Çlirim Mysaferaj dhe Nënispektor Eldor Budo.
k.k/NOA