English

Konferenca Islamike miraton rezolutën për Kosovën. Shqipëria: Arritje e jona

Damask, 26 maj, NOA - Organizata e Konferencës Islamike ka miratuar rezolutën për Kosovën, në të cilën thuhet se që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka shënuar përparim në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Rezoluta e hartuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe e mbështetur nga Mbretëria e Arabisë Saudite, është votuar njëzëri në sesionin e 36 të Këshillit Islamik të Organizatës së Konferencës Islamike, mbajtur në Damask të Sirisë. Përmes saj, u bëhet thirrje shteteve anëtare të kësaj organizate që të vazhdojnë të mbështesin Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të saj. Rezoluta, që është e para e këtij lloji, i jep për detyrë Sekretarit të Përgjithshëm të Konferencës Islamike që të raportojë në takimet e ardhshme të Konferencës mbi zhvillimet në Kosovë. Ndonëse, në Rezolutë nuk bëhet thirrje qartazi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, autoritetet në Kosovë e kanë quajtur të rëndësishëm miratimin e saj. Kryeministri i vendit Hashim Thaçi dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, thanë se kjo rezolutë do t'i ndihmojë Kosovës në shtimin e numrit të njohjeve nga shumë vende të konferencës islamike. Ndërkaq, edhe politika shqiptare e ka mbështetur njëzëri këtë rezolutë, e cila sipas saj është një arritje e madhe për Kosovën dhe një sukses i jashtëzakonshëm për diplomacinë e Shqipërisë. Kurse Serbia nga ana e saj, e ka cilësuar si sukses përmes ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiç, heqjen e thirrjes për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga teksti i rezolutës.

n.e/NOA

KOMENTE