English

Koreja e Veriut sfidon: "Kemi kryer një test të dytë bërthamor". Alarm për ndërkombëtarët

Phenian, 26 maj, NOA - Sikur të mos mjaftonte testi i parë bërthamor i kryer pa lejen e OKB-së, Koreja e Veriut ka deklaruar pa kurrfarë ndroje se ka realizuar edhe një test të dytë.

"Sipas udhëzimeve të shkencëtarëve dhe të teknikëve tanë dhe me qëllim forcimin e vetëmbrojtjes sonë Republika Demokratike e Koresë ka kryer me sukses më 25 maj edhe një provë tjetër bërthamore nëntokësore," - thuhet në një deklaratë të qeverisë në Phenian.

Koreja e Veriut njoftoi me me krenari se testi i dytë ishte i një niveli më të lartë për nga fuqia e shpërthimit dhe kontrolli teknik sesa i pari.

Mirëpo, me një rezolutë të OKB-s, të miratuar në vitin 2006, ndalohen të gjitha testet e këtilla në Korenë e Veriut.

Prandaj Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka dënuar një akt të tillë. Por Koreja e Veriut nga ana e saj iu përgjigj shqetësimit të ndërkombëtarëve me pranimin e daljeve nga bisedimet gjashtëpalëshe, përfundimin e bashkëpunimin me autoritetet për energji atomike dhe rinisjen e programin të vet bërthamor.

Njëkohësisht Peniani kërcënoi me teste të reja bërthamore dhe shkrepjen e raketave të tjera, në qoftë se KS i OKB-së nuk kërkon falje për shkak të kritikave të fundit.

Dënimit të kësaj prove iu bashkuan edhe aleatët tradicionalë të Koresë së Veriut, Rusia dhe Kina.

Presidenti i Këshillit të Sigurimit, ambasadori rus, Vitali Churkin tha se diplomatët kanë filluar punën në një rezolutë të re.

Deklarata e rënë dakort shpejt thekson se prova bërthamore ishte një shkelje e qartë e rezolutës së Këshillit të Sigurimit e cila ndalon Korenë e Veriut nga veprimtaria bërthamore.

Diplomatët ranë dakort që të fillojnë punën menjëherë në një rezolutë të re për të ndëshkuar Korenë e Veriut për atë që ka bërë.

Çështja tani është se çfarë sanksionesh mund të negociohen kundër Koresë së Veriut dhe nëse ato do të jenë efektive për ta bindur këtë vend të paparashikueshëm për të riflluar bisedimet rreth heqjes dorë të programit bërthamor.

n.e/NOA

KOMENTE