English

Marihuanë nga Lazarati për turistët në Sarandë, kapen dy të rinj

Gjirokastër, 26 maj/ NOA - Dy djem romë janë kapur para pak minutash në Gjirokastër me tre kilogramë lëndë narkotike, bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA, burime zyrtare policore.

Të arrestuarit janë Aqif Garo, 25 vjeç dhe Denis Tahiri, 20 vjeç, që të dy, me banim në fshatin Çukë të rrethit Sarandë.

Specialistët e Seksionit të Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër i thanë NOA-s se arrestimi i tyre u bë në orën 13.00 vendin e quajtur Ura e Lumit, në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë.

Gjithçka erdhi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga specialistët e Seksionit të Parandalimit të Krimit dhe Policimit në Komunitet", sqaroi policia.

Dy djemtë romë, u arrestuan në flagrancë pasi u kapën me një çantë ku brenda së cilës kishte tre pako të mbështjella me letër natriban, të mbushura me marihuanë, gjithsej tre kilogramë.

Nga veprimet hetimore dhe deklarimet e tyre rezultoi se dy djemtë, lëndën narkotike e kishin blerë në fshatin Lazarat dhe do ta transportonin për në Sarandë.

"Këta shtetas ishin me këmbë dhe ishin në pritje të ndonjë automjeti për të udhëtuar drejt Sarandës në momentin kur u rrethuan nga agjentët antidrogë", detajoi policia.

Nga hetimet paraprake bëhet e ditur se droga e blerë nga trafikantë të fshatit Lazarat, i njohur për "lumë" droge në kultivim dhe shitje, do të tregtohej më pas në Sarandë tek turistë të cilët kanë nisur të mbushin hotelet e bregdetit.

v.d/NOA

KOMENTE