Bruksel, 26 maj, NOA - Shqipëria nuk mund të përfitojë ende nga procesi i liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.
Një fakt i tillë detajohet në raportin që BE tashmë e ka bërë publik dhe ka marrë në shqyrtim për vendet e rajonit të Ballkanit.
Sipas tij, kushtet që mbajnë peng heqjen e vizave për shqiptarët, janë siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve, lufta kundër korrupsionit dhe bashkëpunimi mes institucioneve në vend.
Një proces konkret që BE paraqitet kritik për ngecjen e tij është edhe mospajisja e popullsisë me dokumentet e identifikimit me të dhënat biometrike.
Ndër të tjera, raporti vë në dukje se, edhe legjislacioni kundër pastrimit të parave si një mënyrë e financimit të terrorizmit është hartuar, por nuk do të miratohet para vjeshtës së këtij viti. Por në këtë raport dënohet edhe dukuria e korrupsionit, i vlerësuar si i përhapur tej mase në Shqipëri, e cila sipas ekspertëve evropianë mbetet një pikë e dobët e institucioneve.
Duke shtuar në fund edhe kërkesën për një rritje të bashkëpunimit mes organit të akuzës dhe atij të gjyqësorit.
n.e/NOA