Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 26 maj/ NOA - Të paktën edhe për dy javë drejtuesit e automjeteve që duan të shkojnë nga Tirana drejt Durrësit dhe anasjelltas këshillohen që t'i bien nga Ndroqi.
Kjo është e keqa më e vogël, pasi autostrada është ende në rikonstruksion.
Zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve premtojnë se fundjavën e ardhshme rruga do të jetë plotësisht e kalueshme në të dyja kahet.
Edhe pse në kontratë është parashikuar që projekti të përfundojë në fund të qershorit, rruga do të jetë gati për pak ditë.
Nëndrejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve Skënder Çota shprehet se: Brenda datës 5-6 qershor rruga do të jetë gati me shtresat e reja të asfaltit.
Çdo vit mirëmbajtja e këtij segmenti vetëm duke mbuluar gropat i merrte buxhetit të shtetit rreth një milion euro. Ndaj vendosëm që të kryenim riasfaltim nga e para", - tha z.Çota.
Pjesë e rikonstruksionit do të jetë edhe ndriçimi i rrugës. Kush ka kaluar natën në këtë segment rrugor është detyruar të ndezë dritat e gjata të automjetit të tij.
Sipas Çotës pjesë e rikonstruksionit është jo vetëm sinjalistika por edhe ndriçimi. Por dritat do të vendosen deri në Maminas, aty ku ekziston rrjeti i nevojshëm elektrik.
Autostrada Tiranë-Durrës është segmenti rrugorë me trafikun më të madh të automjeteve. Rreth 25 mijë makina në ditë kalojnë këtë segment, por ky numër dyfishohet në ditë të veçanta, sidomos në fundjavat verore.
r.l/NOA