English

Spanja, financim në burgun e Fushë-Krujës, zhvillohen kurse profesionale

Fushë Krujë, 26 maj/ NOA - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, Ambasadori i Spanjës në Tiranë, Manuel Montobbio dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve vizituan sot burgun e Fushë Krujës me rastin e përfundimit të projektit "Mbështetje për implementimin e një programi aktivitetesh dhe masash që të mundësojë riintegrimin e të dënuarve dhe të dënuarave me heqje lirie".

Ky projekt u zbatua nga Agjencia Spanjolle e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (AECID) në vëmendje e Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Projekti është bërë në kuadër të reformimit të sistemit të vuajtjes së dënimit në vend ai ka kushtuar 210 mijë euro dhe synon risocializmin e të dënuarve në shoqëri nëpërmjet formimit të tyre profesional dhe organizimit të aktiviteteve terapeutike.

Forcimi i mekanizmave që bëjnë të mundur rikthimin në gjirin e shoqërisë të dënuarve nëpërmjet përpunimit të një Programi të Individualizuar Trajtimi (PIT) për ata që vuajnë dënimin dhe të një Modeli të Individualizuar Intervenimi (MII) për të paraburgosurit ishin drejtimet kryesore të projektit, i cili synon të shtrihet në të gjithë sistemin peniteciar shqiptar.

Ai u krye në dy institucione penitenciare, atë të Fushë-Krujës dhe Vlorës, dhe nga ai përfituan 150 të paraburgosur si dhe u trajnuan 136 persona nga Sektori Social dhe 20 nga Sektori Juridik.

Në fjalën e tij ministri deklaroi se projekti synon të sjellë ndryshime rrënjësore jo vetëm në mentalitet ku institucionet në të cilat kryhet dënimi nuk janë vetëm të tilla, por nga to i del i aftësuar edhe profesionalisht,

"Synimi ynë është që nëpërmjet projekteve të tilla të implementojmë në këto institucione kulturën e punës, kulturën e arsimit duke synuar shtrirjen e kësaj kulture në të gjithë sistemin peneticiar "- tha ministri duke falenderuar Ambasadorin i Spanjës në Tiranë, z. Manuel Montobbio për ndihmën të çmuar.

Projekti i erdhi në ndihmë të stafeve të Shërbimit të Kujdesit Social dhe atij Juridik, nëpërmjet asistencës së specializuar të ekspertëve spanjoll në fushën e së Drejtës Penale dhe Kriminologjisë, si dhe ekspertëve në fushën e Psikologjisë për Sistemin e Vuajtjes së Dënimit.

U krijuan bazat për ngritjen në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të një programi aktivitetesh për sistemin e qendrave të kryerjes së dënimit, si për të burgosurit që vuajnë dënimin ashtu dhe për ata që gjenden në paraburgim.

Gjatë këtij projekti janë zhvilluar kurse formuese dhe profesionale si: përdorimi i kompjuterit dhe mësimi i programeve bazë, gjuhë e huaj anglisht, mekanik-saldator, zdrukthëtari, hidraulik, lulishtari, mekanik-xhenerik si dhe njohjen e tyre brenda Arsimit Profesional Shtetëror.

Një ndër objektivat afatgjatë të këtij projekti në të ardhmen është koordinimi i punës për arritjen e një marrëveshjeje me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale për monitorimin e këtij projekti dhe implementimin i tij në të gjithë sistemin penitenciar shqiptar.

Gjatë vizitës së sotme ministri i Drejtësisë i shoqëruar edhe nga ambasadori Spanjoll ndoqi nga afër mësimdhënien në klasat ku të paraburgosurit mësonin kompjuterin, anglishten, bibliotekën si dhe punën në repartin e zdrukthëtarisë.

e.l/NOA

KOMENTE