Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 27 maj/ NOA - Kompania lider në fushën e telekomunikacionit vjen me oferta të reja për klientët e saj, si për përdoruesit e internetit dhe për ata të telefonisë fikse.
Nga data 1 qershor kush përdorë internetin nga Albetelekomi do të ketë dyfishin e shpejtësisë, ndërsa përdoruesit e telefonisë fikse do të komunikojnë me çmime edhe më të lira.
Drejtuesit e kompanisë Albtelekom kanë shpjeguar publikisht ofertat e reja. Drejtori i përgjithshëm i kompanisë Mustafa Akdogan tregoi në një konferencë të posaçme për shtyp se "prej datës 20 maj kompania ka hedhur në treg planin tarifor për klientët familjarë "Pa limit", e cila u mundëson njerëzve të flasin gjatë kundër një tarife prej 500 lekësh pa TVSH".
Për t'u bërë pjesë e planit tarifor për telefoninë fikse qytetarët mund të abonohen pranë pikave të Albtelekomit dhe të inkuadrohen në këtë pakete ekonomike, pa paguar tarifë regjistrimi.
"Krahas kësaj pakete shumë ekonomike, ALBtelecom ka menduar edhe për thjeshtimin e procedurave dhe për t'u bërë pjesë e këtij plani tarifor, ku abonentët familjarë mund të aplikojnë në pikat e shitjes, pa asnjë tarifë shërbimi", tha z.Akdogan.
Abonentët që bëhen pjesë e këtij plani tarifor do të vazhdojnë të paguajnë tarifën e pajtimit mujor prej 240 Lekësh (Pa TVSH).
Një vëmendje të veçantë kompania tha se po i kushton edhe shërbimit ADSL. Në këtë fushë klientët janë gjithnjë e në rritje shprehen drejtuesit e kompanisë.
Sipas drejtorit, për sa i përket shërbimit ADSL, "klientët tanë i sigurojmë se do të kenë shpejtësi maksimale në përdorimin e internetit dhe kjo do të ndodhë pa rritur çmimet". Për paketa të veçanta do të ketë edhe ulje. Por për shërbimin ADSL vijon oferta që dy muajt e parë plus instalimin e modemit të jenë falas.
Nga këto shërbime, sipas tij mund të përfitojnë të gjithë klientët e shërbimit ekzistues dhe ata të cilët zgjedhin të abonohen në shërbimin tonë pas muajit qershor.
"Duke nisur nga 1 Qershori, Albtelecom do të dyfishojë kapacitetin e internetit për abonentët ekzistues. Përveç kësaj megjithëse po dyfishojmë kapacitetin e paketave ekzistuese çmimet nuk do të pësojnë rritje, përkundrazi do të ketë një ulje të çmimeve për disa prej paketave të veçanta, të cilat variojnë nga 10 deri në 40 për qind", tha Akdogan.
Ai ftoi klientët që të vazhdojnë të ndjekin ritmin e Albtelecom në paraqitjen e ofertave dhe premtoi se në të ardhmen kompania do të vazhdojë të përgatisë oferta dhe paketa shumë të leverdisshme si për klientët familjarë ashtu dhe për bizneset.
"Albtelecom me strategjinë e marketingut dhe të tarifave që po aplikon në shërbimin e internetit vazhdon të rritet shpejt dhe agresivisht në treg", vijoi Akdogan.
Drejtori i Përgjithshëm i Albtelecom tha se kompania ka rritur dhe volumin e investimeve. Sipas tij investimet e kryera kanë rritur me 2,5 herë kapacitetin transmetues të rrjetit.
"Me investimet e kryera është arritur rinovimi i rrjetit të transmisionit në të gjithë Shqipërinë dhe tashmë jemi të gatshëm të ofrojmë shërbimin fiks dhe internet kudo. Brenda gjashtë mujorit të parë do të përfundojë i gjithë rrjeti infrastrukturor për zonat urbane, duke bërë të mundur që të ofrohen të gjitha shërbimet me cilësi të standardeve më të larta, ndërsa deri në fund të vitit investimet do të shtrihen edhe në zonat rurale", tha Akdgodan.
Në sajë të investimeve si dhe ofertave numri total i abonentëve të telefonisë fikse të Albtelecom aktualisht ka arritur në mbi 293 mijë abonentë.
Vetëm gjatë 3 mujorit të parë të vitit 2009, numri i abonentëve të rinj ka kaluar shifrën 25 mijë në të gjithë vendin. Gjithashtu ai falënderoi të gjithë abonentët e Albtelecom, të cilat kanë zgjedhur shërbimet dhe paketat e hedhura në treg.
r.l/e.l/NOA