Nga Albert Zholi / Prof. Dr. Alfred Frashëri është një nga intelektualët, i cili është marrë gjerësisht me studime në fushën e gjeologjisë. Ai në këtë intervistë flet për pasuritë e shumta të nëntokës shqiptare, mbi ngritjen e qytezave të reja në vendet me minerale, përse është lënë sot pas dore gjeologjia dhe shkaqet e aksidenteve të mëdha që ndodhin sot në minierat shqiptare.
Z.Frashëri, a mund të na thuash për lexuesin se çfarë rezervash ruan nëntoka shqiptare?
- Nëntoka e Shqipërisë ruan në gjirin e vet pasuri minerale të shumta dhe me vlerë të madhe. Këtë e dëshmojnë vendburimet e naftës dhe të gazit: Patos-Marinza, Kuçova, Kallm-Vëri-Bubullimë-Kolonjë, Viskokë, Ballsh-Hekal, Cakran, Gorisht-Kocul, Amonicë, Delvine, Finiq-Krane dhe të gazit Divjakë, Ballaj, Frakull, Povelçë, Currila-Durrës, etj. Në Hartën Metalogjenike të Shqipërisë paraqiten 1189 objekte të 48 lloje mineralesh të dobishme: kromite metalurgjikë, kromite refraktarë, element të grupit të platinit, hekur, hekur-nikel, nikel, titan, mangan, alumin, bakër, zing, plumb, ar, arsenic, zhivë, toka të rralla, squfur, pirit, pirrotinë, barit, fluorit, magnezit, azbest, talk, pirofilit, olivinite, xham vullkanik, feldshpat, biotit e kuarcite, kaolinë, forsforite, kripë guri, gips dhe anhydrite, trepela dhe argjila, gëlqerorë, dolomite, gurë dekorativë, travertine, rëra, qymyre, torfa, shiste djegëse, bitum, rëra bituminoze, pirobitume, ujëra minerale. Ndër këto lloje mineralesh të dobishme janë: 14 lloje xeherorësh dhe 34 joxeherorë. Midis këtyre të fundit 19 janë minerale joxeherore, 8 minerale industriale dhe material për ndërtim, 6 qymyri, si edhe shumë burime të ujërave dhe ujërave termominerale. Midis tyre ka vendburime të mëdha, mesatarë, të vegjël dhe shfaqje të mineralizuara. Vendburimet e mëdha të kromit: Bulqizë-Batër, Thekna, Lugu Gjatë-10 Korriku, Ternova, Shkalla, Cërruja, Kalimashi, Kam Tropoja, Vlahna, në masivin e Shebenikut-Pogradecit, etj. E renditën Shqipërinë në vendin e tretë të nxjerres së kromit për frymë të popullsisë në botë. Vendburimet e bakrit Rubik, Gjegjan, Munellë, Tuç, Lak-Roshi, Spaç, Kurbnesh, Kaçinar, Karmë, Derven, Perlat, Rehovë, etj. Lejuan të ngrihet industria komplekse e bakrit me cikël të plotë deri në prodhimin e kablove dhe telave. Në vargun e vendburimeve të mineraleve metalore renditen edhe vendburimet e hekur-nikelit dhe te nikelit silikat nga Pishkashi deri në Gurin e Kuq në Pogradec, vendburimet e qymyreve Memaliaj, Krrabë, Mborje-Drenovë, Pretushë, etj. Është vështirë të numërohen vendburmet e mineraleve industrialë si ato të gëlqerorëve, gurëve magmatikë si gabro, olivinite etj, vendburimet e mineraleve jometalorë si azbest, kuarc, kaolinë, etj. Mbi këtë bazë u hapën dhe u vunë në shfrytëzim dhjetëra miniera dhe fusha naftë-gaz mbajtëse, u ngrit industria e natës dhe ajo minerare shqiptare.
Si janë arritur këto zbulime?
- Këto zbulime madhore janë rezultat i punës këmbëngulëse, me përkushtim dhe vetmohuese e naftëtarëve dhe minatorëve, midis tyre edhe i të dënuarve politikë që punuan nëpër minierat e vendit, teknikëve, inxhinjerëve dhe shkencëtarëve. Janë rezultat i veprimtarisë së gjeologjisë shqiptare dhe të teknikës e shkencës minerare.
Në sistemin komunist, si ka qenë e vlerësuar gjeologjia shqipatre dhe cili ka qenë niveli profesional i pedagogëve apo referuesve në aktivitete ndërkombëtare? Â
- Gjeologjia shqiptare ka qenë një nga degët e shkencës dhe teknikës ndër më të përparuarit në vend, e mirënjohur dhe e mirë vlerësuar edhe në vendet e përparuara të Europës, SHBA, Kanadasë etj. Për të argumentuar vlerësimin ndërkombëtar të arritjeve të gjeologjisë shqiptare, mjafton të kujtosh përshembull se gjatë viteve nëntëdhjetë (1991-1999), vetëm gjeofizikanët kanë paraqitur në kongrese ndërkombëtare madhorë arritjet e tyre më të mira nëpërmjet 124 referimeve. Një veprimtari të tillë, madje më të madhe e kanë zhvilluar gjeologët. Ky vlerësim duket edhe për bashkëpunimin në dhjetra projekte të rëndsishën ndërkombëtarë dypalësh dhe shumë palësh. Kërkimet dhe studimet gjeologjike-gjeofizike-gjeokimike-mineralografike-petrografike-paleontologjike-hidrogjeologike dhe gjeoteknike, etj. të organizuara si një ansambël integral multidisiplinor, shembullor janë vlerësuar nga ekonomia shqiptare dhe bota e njohu efektivitetin dhe rezultatet e punës së saj nëpërmjet burimeve minerale të kërkuara, zbuluara dhe të dhëna për shfrytëzim.
A ka qenë rentabël gjeologjia shqiptare në sistemin komunist?
- Për të parashtruar efektivitetin ekonomik të lartë të arritjeve të gjeologjisë shqiptare dhe të industrisë shqiptare minerare, të naftës e të gazit mjafton të përmendet ajo çka shkruhet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar se vetëm në një vit, gjatë periudhës së viteve tetëdhjetë janë nxejrrë 1 milion tonë minerale bakri dhe u prodhua 12.600 tonë bakër blister, 960 mijë tonë kromite, 1 milion tonë hekur-nikel, 2 milion tonë qymyr guri. Vetëm nga industria e bakrit dhe e kromit ekonomia shqiptare pati të ardhura rreth 120 milion USD në vit. Nxjerra e naftës arriti maksimumin deri 2.250.000 tonë/në vit. Deri në fillimin e viteve nëntëdhjetë, nga këto industri janë nxjerrë gjithsej rreth 49,5 milionë tonë naftë afro 12 milion metër kub gaz natyror, 20 milion tonë mineral bakri, 21 milionë tonë kromite, 18 milion tonë hekur-nikel, 47 milion tonë qymyr guri. Vetëm mineralet e bakrit dhe të kromit kanë dhënë një vlerë rreth 2,28 milardë USD. Mbi këtë industri u ngritën qyteza të reja dhe u zmadhuan ekzistueset: Bulqiza, Memaliaj, Prenjasi, Laçi, etj. me 5000, 5466 dhe 11.400 banorë përkatësisht. Në këtë industri punonin disa dhjetra mijë punëtorë, teknikë dhe inxhinjerë.
Pse kjo lënie në harresë e gjeologjisë shqiptare në vitet e tranzicionit?
- Për fat të keq, gjatë 18 viteve të këtij tranzicioni, si pasojë e zbatmit e të ashtuquajturës "terapia e shokut", që rezultoi në çuarjen në zero të çdo gjëje që shqiptari kishte ndërtuar me mund, djersë dhe sakrificë, edhe industria e minierave dhe e naftës u shkatërruan, shumica e minierave u mbyllën. Është e trishtueshme të kalosh sot nëpër Bulqizë, Patos a Memaliaj. Këtë fat pësoi edhe gjeologjia shqiptare. Ajo realizonte studimet e veta duke patur dy institute shkencore, një për naftën e gazin dhe tjetri për mineralet e ngurta, ku studionin e punonin specialistët e shkencëtarët e nevojshëm dhe të mire kualifikuar. Ata ishin të pajisur me teknikën dhe laboratorët e duhur. Nga gjashtë ekipet sizmike të naftës e gazit, të pajisur me teknikën moderne të kohës, sot nuk ekziston asnjë, nuk janë më dhjetra ekspedita elektrometrike, magnetometrie, gravimetrie për kërkimin e mineraleve të ngurtë, grupet e karrotazhit, etj. Brigadat shqiptare të e shpimit arritën të shponin me sukses puse deri 6700 metra të thellë për kërkimin e naftës dhe të gazit dhe deri 600 mijë metra linear/vit shpime për kërkimin-zbulimin e vendburmeve të mineraleve të ngurta. Sot, edhe disa puse që kryhen, i shpojnë brigada të huaja. Dëmi është i shtetit tonë dhe i ekonomisë shqiptare.
Studiuesit tanë të gjeologjisë përse nuk kanë hapësirat e nevojshme për studime dhe trajtim të veçantë?
- Një vend që ka pasuri natyrore nuk mund të mos i shfrytëzojë me efektivitet, për të mirën e ekonomisë së vet. Ndonjëri mund të thotë: "Sot, kërkojnë edhe të huajt, sipas lejeve për kërkim dhe shfrytëzim që u jepen, le ti bëjnë ata studimet". Nuk ka miopi më të madhe. Dhe kjo për disa arsye: Së pari, shteti duhet të ketë studimet e veta për vlerësimin e burimeve të pasurive natyrore të vendit, midis tyre edhe ato të nëntokës, që me aqë bujari natyra i fali Shqipërisë. Kështu do të dijë të orientojë zhvillimin e ekonomisë së vendit, të vlerësojë me saktësi kushtet e dhënies së lejeve për kërkim dhe shfrytëzim, të kontrollojë me efektivitet ruajtjen e nëntokës nga shfrytëzimi barbar i mundshëm nga komuniteti i biznesit të minierave. Së dyti, gjeologjia e një vendi, është si gjuha mëmë e popullit të tij. Sado mirë ta mësojë shqipen i huaji, nuk thotë dot si shqiptari  dh, th, xh, q, etj. Dhe ne e marrim vesh menjëherë që është i huaj. Kështu është edhe për gjeologjinë. Njohja e saj, përveç dijeve dhe teknikës, ka domosdoshmëri për vrojtime shumë vjeçare në terren. Aq më tepër kjo për kushtet e Shqipërisë, që ka ndërtim gjeologjik të komplikuar. Përvoja na ka treguar, se edhe specialistit më të kualifikuar të huaj i duheshin disa vite që të arrinte të kuptonte ndërtimin gjeologjik të Albanideve dhe të bënte interpretimet e duhura, dhe kur pas dy tre vjetësh atij i mbaronte kontrata dhe duhej të largohej, ishte larg kësaj arritjeje. Gjeologët shqiptarë e dinë me siguri se disa shpime të dhënë këtë periudhë nga të huajt janë kryer në vende të papërshtatshme. Vërtet paratë e shpenzuara pa rezultat për to janë të kompanisë së huaj, por koha e humbur është e jona, si edhe kur të gjendet vendburimi, në koston e investimeve të bëra për të do të mblidhet edhe kosto e atij pusi, dhe kjo është në dëm të ekonomisë shqiptare.
Sot janë dhënë me koncesion shumë miniera të vendit tonë. Mendimi juaj për këtë lloj menaxhimi?
 - Industria minerare mund dhe duhet ringritur në Shqipëri. Përpjekjet e para janë bërë. Kjo zhvillim do të sjellë edhe ringjalljen e gjeologjisë. Në kushtet e ekonomisë së tregut, edhe industrinë minerare e zhvillon kryesisht sektori privat. Shteti krijon kushtet e përshtatshme ligjore, ekonomike, financiare, sociale për këtë zhvillim. Tashmë, shteti shqiptar ka ligjin minerar, ligjin e naftës dhe të gazit, ligjin e konçesioneve, ligjin e ujit, etj. Këto ligje kanë krijuar bazën ligjore pë zhvillimin e industrisë minerare. Janë dhënë leje për kërkim dhe shfrytëzim kompanive të huaja, por edhe atyre shqiptare për naftën dhe gazin, kromin, bakrin, nikel-silikatiet, bitumin, çimenton, kaolinën, alabastrin, gëlqerorët e dolomitet, mermeret, argjilat dhe zhavorre e lumenjve. Sipas të dhënave të Albinvest (http://ëëë.akbn.gov.al/eng/) për periudhën deri në vitin 2008 janë dhënë 738 leje minerare kompanive private të vogla, të mesme dhe shumë të mëdha. Midis tyre 220 janë leje minerare për shfrytëzim të kromit dhe 259 për gëlqerorët. Sipas të dhënave të gazetës Telegraf (datë 4 mars 2009), gjatë vitit 2008 dhe fillimin e 2009 janë licenzuar për kromin 15 kompani shqiptare dhe të huaja. Ky numur i madh kërkesash për leje kërkimi dhe leje shfrytëzimi tregon se po rritet interesi i investitorëve vendas dhe të huaj për pasuritë minerare të Shqipërisë dhe kjo është në dobi të ekonomisë së vendit, në të ardhura, në hapjen e vendeve të reja të punës, etj. Por krahas kësaj, ky numër fsheh edhe një dukuri negative. Nëse punonin rreth 80 miniera, madje edhe të ndara në sektorë numri i tyre është më i vogël sesa numri 590 i lejeve për shfrytëzim, që janë dhënë. Kjo tregon se edhe edhe për industrinë minerare mbi zotëron koncepti i "pazarit të tezgave". Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme për minatorët, për ekonominë e vendit, ruajtjen e pasurive minerare nga shfrytëzim barbar dhe stimulon infomalitetin. Është detyra e organeve të specializuara të shtetit që të mos lejojnë lulëzimin e këtij tregu se industria minerare nuk është industria e tezgave.
 Arsyet e aksidenteve në punë?
- Është e dhimbshme që minierat tona që shfrytëzohen sot, janë kthyer në vende të vrasjeve të minatorëve dhe të jetës së familjeve të tyre, të bonjakërisë së fëmijëve. Këto vrasje aksidentore në dukje vijnë nga shfrytëzimi pa kriter i trupave mineralë edhe në galeri ku ndalohet hyrja nga rreziku i shembjes si pasojë e babëzisë së pronarëve, nga varfëria e minatorëve dhe mos zbatimi i rregullave të teknikës së sigurimit në punë në miniera. Shteti ka për detyrë të mbrojë qytetarët e vet, prandaj duhet me ligj të ndalojë këtë kategori vrasjesh "aksidentale", duke krijuar edhe organizmat përkatëse të specialiuara të kontrollit të punës në miniera dhe të zbatimit të rregullave të teknikës së sigurimit. Krahas kësaj, shteti duhet të ruajë me kujdesin më të madh rezervat e pasurive minerare dhe shfrytëzimin e tyre në pajtim me teknologjitë moderne minerare. Organi i ruajtjes së nëntokës ka ekzistuar në Shqipëri, por ai u shkri qysh në vitet tetëdhjetë për ti hapur rrugën shfrytëzimit pa kriter të pasurive minerare. Sot, më shumë se kurrë ky sistem kontrolli i specializuar duhet ringritur dhe i duhet dhënë kompetenca e nevojshme. Të gjithë e dinë që ruhet edhe një baçe me disa pemë, që ruhet një magazinë, një bankë etj. Si mund të lësh pa roje e kontroll pasuritë minerale me vlerë dhjetra e qindra milionë euro? Sot, nuk gjen asnjë të dhënë se sa minerale nxjerrin sejcila nga këto kompani dhe sa përfiton shteti shqiptar.
Pasuritë nëntokësore aktuale?
- Në Shqipëri ka shumë miniera dhe fusha nafte e gazi, që duke i shfrytëzuar me efektivitet dhe brënda rregullave teknike, të japin të ardhura të mëdha për ekonominë shqiptare. Ka shumë vendburime të njohur, që në krahët e tyre dhe në thellësi mund të gjendet trupa mineralë të rinj. Ka zona të mineralizuara ku mund të kryhen kërkime gjeologjike frytdhënëse. Por është e domosdoshme të theksohet se se jo çdo minierë është rentabël, veçanërisht pas braktisjes së tyre. Përzgjedhja e minierave rentabël duhet të bëhet mbi bazën e vlerësimeve të rezervave gjeologjike dhe të nxjerrshme, si edhe të kushteve tekniko-minerare të minierave, të vlerësimeve ekonomike në pajtim me teknologjinë e përdorur dhe me kërkesat aktuale dhe prognozë të së ardhmes të tregut mineral botëror, etj. Për këtë i duheshin shtetit ekipet dhe insitutet shkencore, që i kishte dhe i shpërbënë. Në çdo vend të Rruzullit të Tokës, edhe në kushtet e globalizmit, llogaritë e shtëpisë dhe të familjes i bën i zoti i shtëpisë dhe jo jallan shahitë nga rruga. Edhe për një shtet kështu është. Vendi i dhemb atij që ka varret e prindërve aty, që derdh djersën për të dhe që rrit fëmijët në këtë tokë që quhet atdhe dhe ku është edhe shteti i tij.
NOA
Â
Â
Â