English

AMC mbështet ngritjen e bibliotekës në Rrëshen

Rrëshen, 27 maj/ NOA - Kompania e parë e telefonisë celulare, AMC ka mbështetur ngritjen e bibliotekës së shkollës së mesme në qytetin e Rrëshenit dhe bëri të mundur pajisjen me më shumë se 300 libra artistikë të autorëve shqiptarë e të huaj.

Mungesa e literaturës së nevojshme për të realizuar programin mësimor, si dhe vështirësitë që hasnin nxënësit në gjetjen e saj, ishin arsyet e këtij bashkëpunimi ndërmjet AMC-së dhe shkollës së mesme në Rrëshen.

Përzgjedhja e librave është bërë duke u mbështetur në kërkesat e programit mësimor dhe do të ndihmojë jo vetëm në ngritjen e nivelit të mësimdhënies, por edhe në nxitjen dhe promovimin e kulturës së leximit e dashurinë për librin te nxënësit e shkollës.

Shkolla e mesme në Rrëshen ka rreth 600 nxënës dhe është e vetmja në këtë qytet.

Sipas drejtorit të shkollës, z. Nik Nikolli, "librat e dhuruar do të ndikojnë ndjeshëm në edukimin e nxënësve dhe përveç kësaj, do të shërbejnë si nxitje për iniciativa të tjera brenda shkollës e për pasurimin e vazhdueshëm të saj me libra të rinj.

"Duhet të falenderojmë AMC-në për këtë mbështetje, u shpreh z. Nikolli, e cila na ka mbështetur edhe më parë në projekte të tjera".

Edukimi është konsideruar si një nga shtyllat më të rëndësishme të strategjisë sociale nga kompania.

Duke besuar që hapi i parë drejt ndryshimit të së ardhmes është rritja e nivelit arsimor të brezit të ri, AMC ka dhënë mbështetjen e saj përmes një sërë projektesh, të cilat u adresohen hallkave të ndryshme të këtij sistemi.

Kjo iniciativë është gjithashtu vijim i kontributit për ngritjen e dhjetëra bibliotekave në shkollat nga veriu në jug, në kuadrin e projektit "Shqipëria Lexon", por edhe në shkollat e rikonstruktuara në zonën e Gërdecit.

a.k/NOA

KOMENTE