English

Berisha në Kavajë: Edi Rama, gati të rihapim Parlamentin që ti të kandidosh

Kavajë, 28 maj/NOA - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi mbrëmjen e së Mërkurës një takim me banorë të qytetit të Kavajës, ku premtoi se qeveria do të sjellë atje, të gjitha investimet për ta bërë një prej qyteteve më moderne të Shqipërisë, informon korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA.

Në këtë mënyrë, kreu i qeverisë dhe Partisë Demokratike, e ka nisur fushatën elektorale pikërisht në Kavajë, ku ka kandiduar dhe fituar mandatin e deputetit në të gjitha legjislaturat nga viti 1991 deri më 2005.

Berisha u ndal gjatë në arritjet siç tha të qeverisë që drejton, në këtë mandat të parë, duke folur me gjuhën e shifrave.

Kurse më tej, foli për opozitën, që tha se është në pikën e saj më të çoroditur se kurrë ndonjëherë.

"Ajo po rend sot nëpër Shqipëri si njeriu pa kokë. Ndaj unë dua t'i bëj thirrje Edi Ramës; lëshoje karrigen e bashkisë së Tiranës, shko dhe regjistrohu si kandidat për deputet".

Këtu, Berisha ka bërë një propozim: "Nëse ti do, mbledhim sërish parlamentin, ndryshojmë ligjin dhe dil në krye të garës elektorale, dil dhe priju anëtarëve dhe mbështetësve të tu, sepse kështu e do rregulli, kështu e do burrnia, kështu e do pluralizmi, kështu e do Shqipëria, kështu e do demokracia".

Berisha i bëri thirrje Ramës që të "mos fshihet më pas karriges së bashkisë sepse po turpëron vendin".

"Ndaj, deklaro që do të regjistrohesh si kandidat dhe ne thërrasim parlamentin, ndryshojmë ligjin dhe në këtë mënyrë dil në shesh", - bëri thirrje Berisha.

Zgjedhjet do të jenë të lira, të ndershme, Kavaja do të fitojë, do të fitojë Shqipëria. Në 28 qershor , ju bëj thirrje, votoni për Sali Berishën, për Kavajën për Shqipërinë.

v.m/NOA

KOMENTE