English

Drejtuesi i kamionit përplaset nga një makinë ndërsa po kontrollonte mallin

Gjirokastër, 27 maj, NOA - Ndërsa kishte zbritur dhe po kontrollonte ngarkesën e kamionit të mbushur me gurë, drejtuesi Panajot Sorra është gjendur i goditur për vdekje nga një makinë e cila po kalonte në atë moment me shpejtësi rrufe.

Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur Derviçan, dhe Sorra figuron të jetë banues në fshatin Sheqeras të Korçës.

Dëshmitarët e ndodhur në vendngjarje e kanë transportuar menjëherë për në spital atë, por ai nuk ka mundur të shpëtojë pasi kishte marrë plagë të rënda.

Po sipas dëshmitarëve në vendngjarje , automjeti që ka shkaktuar këtë aksident ishte tip Peugeot me targa GJ 96 96 A, me ngjyrë të bardhë, ku drejtuesi i automjetit Edvin Pollo, banues në Lazarat është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia ka bërë dokumentimin e ngjarjes dhe u arrit që Pollo, të paraqitet vetë në polici ku dhe është bërë arrestimi i tij për veprën penale të "Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, drejtim të automjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi aftësie dhe largim nga vendi i ngjarjes', parashikuar nga neni 290/1, 291, 273 të Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE