Nga "Jane's Defence Weekly" Themelimi i një force ushtarake të njohur ndërkombëtarisht ishte prioritet i gjatë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila luftoi për ta ndarë Kosovën nga Serbia, dhe tash është në qeveri në shtetin më të ri në Evropë.
Për kryeministrin Hashim Thaçi dhe veteranët tjerë të UÇK-së, Forca e Sigurisë së Kosovës paraqet realizimin përfundimtar të ëndrrës, për të cilën ata punuan që nga fillimi i viteve të 1990-ta. Reagimet ndaj formimit të FSK-së ishin të shpejta. Shtetet kyçe të NATO-s, si Gjermania, Italia, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara u zotuan për mbështetje, ndërsa Serbia e refuzoi krejtësisht. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, e quajti forcën "grup paramilitar ilegal" dhe "kërcënim direkt për sigurinë kombëtare, paqen dhe stabilitetin në tërë rajonin". Shërbimi Policor i Kosovës mundi të tërheqë një numër të oficerëve serbë, por pas shpalljes së pavarësisë shumica e tyre e braktisën punën nën presionin e udhëheqësve serbë, të cilët gjithashtu e shohin FSK-në si një instrument tjetër për shtypjen e serbëve nga shumica shqiptare. Në radhët e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë edhe vendet që e mbështetën FSK-në, kanë mbetur disa pyetje serioze se çfarë duhet të bëjë forca e re, të shoqëruara me shqetësimet për lidhjen e politikanëve shqiptarë të Kosovës me rrjetet e krimit të organizuar. Bazuar në deklaratat e shumta të zyrtarëve të qeverisë, prej presidentit dhe kryeministrit, FSK-ja synon të shërbejë si forcë profesionale, politikisht neutrale, shumetnike dhe e armatosur lehtë konform standardeve të NATO-s që do të operojë nën kontrollin civil demokratik. Mbetet të shihet nëse këto synime do të jenë të arritshme. Misioni zyrtar i FSK-së është përgjigjja në krizat dhe në operacionet civile. Por, FSK-ja është e autorizuar të veprojë edhe jashtë me mandatin e parlamentit dhe ftesën e organizatave ndërkombëtare, ku Republika e Kosovës aspiron të anëtarësohet. Kjo qartësisht i hap dyert për pjesëmarrje në operacionet e BE-së, NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara. Përkundër numrit të kufizuar të pjesëtarëve në 2.500, sa pothuaj një brigadë e NATO-s, FSK-ja nuk mund të posedojë armë të rënda, si tanke lufte, artileri apo armë ofensive ajrore, dhe çdo ndryshim duhet të miratohet nga KFOR-i në koordinim me EULEX-in. Në qershor, 2008, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, tha se përfshirja e aleancës do t'i ndihmojë Kosovës që ta realizojë synimin për ndërtimin e institucioneve demokratike të sigurisë. Ç'është më e rëndësishmja, NATO ka themeluar një fond të posaçëm prej 17.5 milionë dollarësh për infrastrukturën e FSK-së. Nëse KFOR-i dhe EULEX-i nuk do të jenë të vendosur në procesin e mbikëqyrjes, ka mundësi që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në një version shqiptaro-centrik të ish-Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe t'i zbehë gjasat për të arritur krijimin e një Kosove shumetnike.