Ballsh, 27 maj NOA - Një konflikt pronësie dyshohet të jetë shkaku i një vrasjeje të ndodhur sot në fshatin Pocem të Komunës Klos të rrethit të Mallakastrës.
Niko Malaj 70-vjeç, xhaxhai i prokurorit të Fierit Petrit Malaj, është vrarë sot rreth orës 14:30.
Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se i dyshuari kryesor si autor i kësaj ngjarjeje është Përparim Merkaj 60-vjeç.
Sipas policisë ai kishte pasur konflikt për një sipërfaqe toke me bashkëfshatarin e tij Niko Malaj.
Sot dyshohet se Merkaj ka rrëmbyer një pistoletën tip-TT të cilën e mbante pa leje dhe është nisur për te toka që ai pretendonte se ishte e tij pasi kishte parë Malaj kishte shkuar atje.
Sapo janë përballur ata fillimisht kanë filluar të debatojnë me njëri-tjetrin dhe më pas 60-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë pistoletën duke e qëlluar tre herë në drejtim të bashkëfshatarit të tij.
Fill pas krimit i dyshuari është kthyer në banesën e tij në fshatin Pocem.
Forca të shumta policie mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të zbuluar autorin dhe shkaqet e kësaj vrasjeje.
Pas hetimeve të para, policia zbuloi identitetin e të dyshuarit duke bërë të mundur dhe ndalimin e tij.
Mësohet se në momentin e ndalimit, i dyshuari nuk ka bërë rezistencë, ndërsa ka dorëzuar edhe armën e zjarrit pistoletë TT që ai mbante pa leje.
Sipas policisë në deklaratën e tij, i dyshuari ka pranuar krimin duke shtuar se nuk mund të duronte faktin që Malaj po punonte në tokën e tij, megjithëse sipas policisë kjo e drejtë autorit i ishte hequr.
k.k/NOA