English

Letra e Islamit për kartat, Ministria e Brendshme i kthen përgjigje Partisë Socialiste

Tiranë, 28 maj/NOA - Ministria e Brendshme pasi u njoh me letrën e dërguar nga Partia Socialiste më datë 26 Maj 2009, sot i ka dërguar përgjigjen Partisë Socialiste, duke vënë në dijeni edhe prezencën e OSBE në Tiranë dhe misionin vëzhgues të ODIHR-it.

Në këtë letër, Ministria e Brendshme nënvizon se deri më datën 26 Maj kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike 1 milion e 100 mijë shtetas, ku rreth 450 mijë prej tyre i takojnë grupit të qytetarëve pa pasaportë.

Nga disa testime të bëra në terren rezulton se 160 mijë deri në 260 mijë shtetas nga grupi i personave që nuk disponojnë pasaportë, janë jashtë Shqipërisë, fakt të cilin e kanë pranuar edhe përfaqësues të Partisë Socialiste.

Ministria e Brendshme tha edhe se i ka dërguar sot Partisë Socialiste së bashku me letrën, listën emërore të të gjithë votuesve pa pasaportë që nuk kanë aplikuar ende për letërnjoftime elektronike.

Drejtori për median Fatmir Konja, tha se "Ministria e Brendshme i ka kërkuar Partisë Socialiste të respektojë Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale gjatë përdorimit të këtyre informacioneve".

Po ashtu, Konja tha se "Ministria e Brendshme ka garantuar se bazuar në kapacitetet reale që ndodhen në terren, ekzistojnë mundësitë e plota që çdo qytetar të ketë një dokument identiteti për të votuar në zgjedhjet e 28 Qershorit 2009".

Pasi u njohëm me letrën tuaj të datës 26 Maj 2009, si dhe në vijim të të gjitha informacioneve zyrtare që ju kemi dërguar në datat; 1 Shkurt 2009, 20 Mars 2009, 1 Prill 2009, 7 Prill 2009, 15 Prill 2009, 30 Prill 2009, 5 Maj 2009 dhe 19 Maj 2009 ju informojmë se procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik po ecën me ritme shumë të mira.

Ky proces është i shtrirë në të gjitha zyrat e Gjendjes Civile, të të gjitha komunave dhe bashkive të vendit.

Deri në datën 26 Maj 2009 kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 1 100 173 (njëmilion e njëqind mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tre) shtetas, nga të cilët 979 763 (nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tre) janë hedhur në sistemin e kontrollit të dokumenteve, prej të cilëve 404 956 (katërqind e katër mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e gjashtë) janë identifikuar se i përkasin grupit të qytetarëve që janë pa pasaportë.

Duke patur parasysh shumën e përgjithshme 1 100 173 (njëmilion e njëqind mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tre) të personave që kanë aplikuar, do të thotë se totali i përgjithshëm i personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri në datën 26 Maj 2009 është rreth 450 000 (katërqind e pesëdhjetë mijë).

Gjithsesi ne besojmë thellë se një numër i konsiderueshëm i atyre që rezulton të mos e kenë një pasaportë udhëtimi, të jenë jashtë Shqipërisë si pasojë e emigracionit të paligjshëm të ndodhur prej më shumë se 15 vitesh.

Disa testime provojnë se ky numër luhatet nga 160 000 deri në 260 000.

Për më tepër në korrespondencën e Partisë Socialiste drejtuar grupit negociator për çështjen e kartave, ju citoni se prisni që nga grupi i qytetarëve pa pasaportë të paraqiten për aplikim jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) Â të tillë. Shifër të cilën e kanë konfirmuar edhe diplomatë të huaj pas takimeve me ju.

Besojmë se në këtë përcaktim Kryetari juaj nuk ka nënkuptuar diçka tjetër përveçse mungesës në Shqipëri të rreth 260 000 personave nga ky grup.

Ju sigurojmë gjithashtu se në të gjithë vendin janë funksionale, kapacitetet e plota për pajisjen e të gjithë votuesve pa pasaportë që të aplikojnë dhe të pajisen me letërnjoftimin elektronik. Kështu, këto kapacitete ofrojnë mundësi për aplikimin e rreth 500 000 (pesëqind mijë) shtetasve deri më datën 14 Qershor 2009. Sistemi ka treguar se është i aftë të pranojë deri në 20 000 (njëzetë mijë) aplikime në ditë.

Ju sigurojmë gjithashtu se asnjë shtetas që nuk ka pasaportë dhe që është paraqitur pranë zyrave të aplikimit nuk ka mbetur pa aplikuar.

Sipas kërkesave tuaja specifike në letrën e sipërpërmendur po ju informojmë se;Â

Bashkëlidhur po ju dërgojmë listën emërore, sipas njësive  vendore, të votuesve pa pasaportë që kanë mbetur ende pa aplikuar për letërnjoftimin elektronik.

Në lidhje me listën e votuesve që e kanë marrë letërnjoftimin, ju sqarojmë se për shkak të procedurës që kërkon ky proces dhe kërkesës suaj të paparashikuar , do t'jua vëmë në dispozicion sapo ta kemi nga koncensionari.

Në lidhje me listën e votuesve me pasaportë, referojuni përgjigjes sonë që ju kemi dërguar më datë 19 Maj 2009, Nr. 3612/3 Prot.

Me këtë rast, ju shprehim shqetësimin tonë në lidhje me përdorimin e jashtëligjshëm nga ana juaj të të dhënave personale të shtetasve që ne ju kemi dërguar deri tani. Kemi konstatuar se ju këto të dhëna i keni shpërndarë tek persona të pa autorizuar dhe duke i përdorur publikisht, çka dhunon kështu mbrojtjen e të dhënave dhe legjislacionin përkatës. Për këtë, kërkojmë nga ju respektimin e përcaktimit ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale.

Duke mbetur të hapur për çdo informacion,

Sinqerisht,

FERDINAND PONI

ZËVENDËSMINISTËR

Fund
KOMENTE