English

Marrëveshje e re mes shqiptarëve dhe maqedonasve, PDSH prezanton ekspertët

Shkup, 27 maj, NOA - Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi prezantoi para mediave grupin e tij të këshilltarëve, të cilët do të marrin pjesë në procesin e hartimit të një marrëveshje të re mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Kryetari i PDSH-së, deklaroi se marrëveshja e re do të jetë gati për dy muaj dhe se ajo nuk do të kontestojë karakterin unitar të shtetit.

"Në këtë marrëveshje ne si parti, mendoj se edhe shqiptarët nuk e kontestojnë drejtimet kryesore të funksionimit të shtetit, Maqedoninë unitare, që pretendon BE dhe NATO. Por definitivisht me këtë marrëveshje do të ndryshohet zhargoni i degradruar i përfaqësimit të shqiptarëve me formulimin partneritet", ka theksuar Thaçi.

Sipas tij, ndryshimi kryesor që kërkon PDSH në të ardhmen do të jetë që qeveria të funksionojë në bazë partneriteti dhe jo përfaqësimi.

"Nuk mund më shteti të funksionojë, programi i VMRO-DPMNE apo i LSDM, ndërsa brenda në Qeveri të përfshihet PDSh apo dikush tjetër. Patjetër duhet të aplikohet programi i LSDM dhe BDI-së, apo VMRO-së dhe PDSH, apo anasjelltas. Bëhet fjalë për partneritet", ka theksuar kryetari i PDSH-së. Ai ka theksuar se në marrëveshjen e re do të jenë të përfshira edhe elementet e Marrëveshjes së Ohrit.

"Marrëveshjen e re në fillim do të ia propozojmë Parlamentit për tu debatuar, e më pastaj edhe institucioneve tjera shtetërore. Kjo Marrëveshje të vetmen gjë që do ta ketë nga Marrëveshja e Ohrit është ajo se konfliktet duhet të zgjidhen me dialog" - theksoi kryetari i PDSH-së.

NOA-INA

KOMENTE