Tiranë, 27 maj, NOA - Në Shqipëri konstatohet rasti i parë i dyshuar me gripin e derrit. Lajmi është konfirmuar nga ministria e Shëndetësisë, e cila pohon se ekspertët janë në pritje të rezultatit të analizave për virusin, nga i cili është prekur pacienti i dyshuar.
Sipas të dhënave paraprake për agjencinë e Lajmeve NOA, fjala është për një pacient, aktualisht i shtruar tek reparti i Infektivit në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", i cili sipas mjekëve, ka shfaqur simptoma të ngjashme me ato që shkakton virusi A/H1N1, shkaktar i të ashtuquajturit "gripi i derrit".
Sipas drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, personi është një burrë, me temperaturë të lartë, i cili është kthyer nga Siria para pak ditësh, prej ku mendohet të ketë marrë edhe virusin në fjalë.
Ai figuron të jetë punonjës i ministrisë së Jashtme dhe ndaj tij po ndërmerren të gjitha analizat e nevojshme.
Gjithsesi, ekspertët e shëndetësisë thonë se duhet të presin rezultatet finale të analizave të cilat po kryen pranë ISHP-së, për të konfirmuar nëse lajmi se gripi i derrit paska mbërritur edhe në Shqipëri, është apo jo i vërtetë.
n.e/NOA