English

Pjesëmarrja e gruas në shoqëri dhe institucione, proces natyral dhe jetik

Nga Bamir Topi*

*President i Republikës

"Është shenjë e mirë kjo që në kuadrin e këtij takimi ka një performim të zonjave, ç'ka do të thotë që interesi është rritur dhe në funksion të përfaqësimit të zonjave në takime kaq të rëndësishme, por besoj edhe në të gjitha impenjimet publike, qoftë në institucionet shtetërore, qoftë në ato private. Padyshim që kam kënaqësinë që ndodhem këtu midis jush. Ju falenderoj për ftesën, por mbi të gjitha ju falenderoj për të gjithë kontributin e Institutit Demokratik Amerikan për të gjithë veprimtarinë e tij, që ka zhvilluar gjatë viteve të demokracisë në Shqipëri, gjatë viteve të tranzicionit, që të gjithë së bashku mendojmë dhe shpresojmë që dhe nga pikëpamja formale të ketë afatin e vet përfundimtar! Pra, nga periudha e tranzicionit të kalojmë në një periudhë konstante të stabilitetit, të rritjes dhe besoj të institucionalizimit të asaj, që e kemi konsideruar ëndërr shqiptare, integrimin, sikurse e realizuam në NATO, integrimin në Bashkimin Evropian dhe paraqitjen e Shqipërisë edhe nga pikëpamja formale si një shtet i barabartë midis të barabartëve.

Padyshim që roli i Institutit Kombëtar Demokratik amerikan në përgatitjen e liderëve të rinj dhe në mënyrë specifike në përgatitjen e zonjave, të cilat kanë angazhime publike në marrjen e lidershipit në mjaft nga veprimtaritë publike, është një arritje e veçantë e këtij Instituti, por besoj dhe një arritje e veçantë me një stad të ri me anazhimin e pjesëmarrjes së gruas shqiptare. Unë padyshim jam shumë i gëzuar me arritjet e grave në të gjithë veprimtarinë e tyre jetësore dhe i gëzuar që ju keni një arritje të spikatur qoftë në angazhimet familjare, qoftë në angazhimet publike, ku besoj pjesa më e vështirë, por më e spikatur është pjesëmarrja juaj në veprimtaritë politike. Kemi diskutuar gjerë e gjatë në shumë momente për barazinë gjinore, aq sa duket sikur kjo teori sot i ka kapërcyer ato piketat e elegancës. Duket sikur politikanët, drejtuesit e institucioneve kërkojnë të krijojnë hapësira për diçka që konsiderohet arritje në mënyrë artificiale. Absolutisht jo! Pjesëmarrja e gruas në shoqëri, në institucione, duhet të jetë një proces natyral dhe një proces jetik për shoqërinë tonë. Unë që flas, sigurisht sot vi këtu jo vetëm me dëshirën që pjesëmarrja e grave në të gjitha institucionet të jetë e pranishme, por të vijë e të ekuivalentohet me pjesëmarrjen e burrave. Unë që vi sot këtu për të folur, padyshim kam se çfarë t'ju them, sepse me detyrimin tim institucional, ju siguroj që në emërimet që kam patur për të bërë, kam emëruar më shumë zonja, sesa zotërinj. Kjo është e dukshme, disa gjëra ne i kemi dhe që duhet të citohen. Vetëm në Gjykatën e Lartë ka më shumë emërime të zonjave, sesa të zotërinjve. Emërimi i Kryeprokurores në krye të një Institucioni që konsiderohej tabu. Emërimi i një zonje në krye të Gjykatës Kushtetuese. Emërimi i një zonje në krye të Gjykatës së Lartë. Emërimi i zonjave në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pra, unë nuk e kam bërë këtë në mënyrë të sforcuar. Nuk e kam bërë për ekzibicion. E kam bërë, sepse roli i gruas është jetik për shoqërinë tonë. Kam konstatuar që gratë demonstrojnë vitalitet, por dhe natyrisht më shumë demonstrojnë dhe ndershmëri në realitet dhe besoj që japin një garanci të forcimit të demokracisë dhe të institucioneve të demokracisë në Shqipëri. Unë jam i bindur dhe besoj që ky bashkëpunim do të realizohet edhe më tej në mënyrë që edhe institucionet e tjera ta kenë seriozisht. Nuk kam qenë i lumtur që është vendosur një shifër 30%, absolutisht. Nuk është mirë të vendosim standarde mekanike, puna është të krijojmë kushte, të krijojmë hapsira që konkurimi të jetë i lehtë, i lehtë edhe për gratë. Ligji proporcional sigurisht që e favorizon këtë punë, sepse ligji mazhoritar, pavarësisht përfaqësimit që kishte, i vendoste zonjat në një pozicion të diskriminuar. Ligji mazhoritar e përballte me shumë situata të vështira, që edhe vetë meshkujt do ta kishin shumë të vështirë për të përballuar rivalët e tyre. Jam i bindur që ligji proporcional me vendosjen e kësaj kuote, sigurisht që është një arritje e konsensusit të partive politike që uroj që ta kenë seriozisht, qoftë në kombinimin e listave, qoftë në trajtimin e kësaj politike në mënyrë konstante, në mënyrë të vazhdueshme. Unë padyshim që nuk jam këtu për të moralizuar. Unë uroj që gratë, zonjat të mos humbin natyralitetin e tyre dhe vet politika ndodh në një mjedis të ashpër, ku shpeshherë ka rivalitet, që nuk bëhet në kushte korrekte, ndonjëherë ka edhe bërryla. Unë uroj që gratë të jenë të forta, që të shpalosin vitalitetin e tyre jo thjesht biologjik dhe fiziologjik, por të shpalosin vitalitetin e tyre shoqëror, politik dhe në mënyrë absolute të mos cënojnë natyralitetin të tyre. Gratë duhet të jenë gra, duhet të jenë zonja. Kjo është bukuria e jetës që ka dhe performancën e zotërinjve, ka performancën e zonjave dhe së bashku në politikë të përfaqësojnë atë që ndjehet në terrenin shoqëror. Kemi nevojë që të kemi një zbutje, një ekuilibrim të toneve në Parlament, të ambjentit parlamentar që nuk është vetëm vendi, ku zhvillohet debati politik dhe miratohen ligje, por është edhe vendi, ku shoqëria shqiptare ka një pikë referimi, ka një pikë referimi. Aty duhet të jetë përfaqësia më e mirë që përfaqëson interesat jo vetëm të shoqërisë, por edhe të institucioneve të Shqipërisë në të gjitha sfidat e rëndësishme. Unë do ta quaja të papranueshme që asnjë zë femre, asnjë zë nga zonjat të mos prononcohet për ngjarjen e shëmtuar të dhunimit të dy grave pranë një institucioni shtetëror, pikërisht mbi një kategori, që nuk ka nevojë t'i themi kategoria e njerëzve në nevojë, të të verbërve. Unë besoj që reagimi nuk duhet të jetë për çështje të karakterit sekondar, por duhet të jetë për çështje të tilla, sepse gjëra të tilla janë të shëmtuara jo vetëm për imazhin e shoqërisë shqiptare, por janë të shëmtuara edhe për atë, që ne mendojmë të realizojmë në perspektivë, një shoqëri korrekte, një shoqëri ku ka një ndjeshmëri dhe politikani dhe përfaqësuesi i institucioneve në radhë të parë kanë detyrimin e ndjeshmërisë dhe të mos heshtin dhe të mos pozicionohen me rolin e indiferentit. U bëj thirrje këtu institucioneve specifike, institucioneve, që kanë përgjegjësi ndaj Kushtetutës dhe ligjit, në radhë të parë zonjave, të cilat duhet të kenë ndjeshmërinë ta denoncojnë publikisht! Nuk është problemi i një individi, i cili duhet të përballet me drejtësinë. Ky është detyrimi institucional i institucioneve, është puna e ndjeshmërisë dhe e klimës, që duhet t'i japin zonjat, një klimë më të qetë, një klimë solidariteti, një klimë ku ta ndihmojnë njëra-tjetrën. Mos prisni të ndihmoheni nga psikologjia maskiliste, kur nuk e gjeni këtë klimë midis jush! Kështu që unë ju bëj thirrje të keni solidaritet, ta ndihmoni njëra-tjetrën dhe pse përfaqësoni kampe të ndryshme, duhet që dialogu juaj, debati juaj të jetë shumë elegant dhe të mos jetë i ngjashëm me debatin e ashpër, që bëhet midis politikanëve burra. Kjo është e dukshme. Unë e konsideroj rolin e Institutit Kombëtar Demokratik amerikan një rol të jashtëzakonshëm pikërisht në përpunimin e lidershipit të ri ku një pjesë e rëndësishme vjen nga kontigjenti mjaft i shquar i zonjave, kontributi i të cilave dhe në retrospektivë ka qenë i jashtëzakonshëm, por besoj në perspektivë do të jetë akoma më i jashtëzakonshëm në të gjitha sfidat, që ka politika shqiptare, institucionet shqiptare për sfidat e integrimit. Edhe një herë ju falenderoj nga zemra për të gjithë rolin tuaj dhe jam i bindur që ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe më tej! Ju falenderoj ju Ambasador Uithers që keni qenë gjithmonë i pranishëm në aktivitete të tilla për të promovuar lidershipin e ri"

KOMENTE