English

PS: Procesi, shumë pranë dështimit. Diskutohet shtyrja e zgjedhjeve

Tiranë, 27 maj/ NOA - Partia Socialiste vlerësoi sot se procesi zgjedhor duket shqetësues dhe shumë pranë dështimit.

Kastriot Islami doli sot para medieve ku shprehu këtë shqetësim, ndërsa paralajmëroi se në asnjë rast nuk do të lejohet ndryshimi apo transformimi i rezultatit të zgjedhjeve përmes lojës me letërnjoftimet.

Islami tha se situata e pajisjes se votuesve pa pasaportë me letërnjoftim mbetet shqetësimi kryesor që rrezikon rëndë zgjedhjet e lira e të ndershme.

Kurse vlerësoi se qeveria po dështon me garantimin e një prej standardeve më të rëndësishme për zgjedhje të lira e të ndershme.

"Në raportin e parë paraprak të OSBE/ODHIR dy janë çështjet më shqetësuese klima politike tejet e polarizuar dhe pajisja me letërnjoftimi. Bashkëndajmë të njëjtin vlerësim për këto shqetësime të shprehura nga OSBE/ODHIR", - tha Islami.

Arsyet e këtij dështimi sipas PS, janë paaftësi dhe mungesë vullneti nga ana e qeverisë dhe synim i qartë i Kryeministrit Berisha për të transformuar rezultatin e zgjedhjeve përmes lënies pa letërnjoftimi të një numri të konsiderueshëm zgjedhësish prezentë në listat e votimit.

Këtu Islami paralajmëroi se kjo situatë është e papranueshme dhe në asnjë rast nuk do të lejohet zhvillimi i zgjedhjeve të manipuluara, kurse theksoi se në asnjë rast nuk do të lejohet ndryshimi apo transformimi i rezultatit të zgjedhjeve përmes lojës me letërnjoftimet.

Islami foli dhe mbi shkresën zyrtare e dërguar dje Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit duke vënë në dijeni të gjithë publikun dhe partnerët ndërkombëtarë.

Në letër ishin shprehur kërkesa për:

· Listën e votuesve me pasaportë, dokument që duhet të jepet me përgjegësi zyrtare dhe i saktë

· Listën e votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar, të përditësuar me të dhënat deri në datën 25 maj 2009,

· Listën e votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar dhe kanë marrë në dorë letërnjoftimin, të përditësuar me të dhëna deri në datën 25 maj 2009.

Në këtë pikë, Islami sqaroi se "analiza përfundimtare e të gjithë këtij procesi dhe vlerësimet përkatëse do të bëhen mbi bazën e këtyre të dhënave dhe qëndrimi i PS do të jetë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e kësaj analize dhe e këtyre vlerësimeve".

PS lajmëroi edhe se data 31 maj është afati i fundit kur pritet një përgjigje nga Ministri i Brendshëm.

"Presim deri datën 31 maj, për të dhënë opsionin tonë, vlerësimin për procesin dhe qëndrimin se çfarë do të bëjmë, sepse përgjegjësia është totalisht e qeverisë", - tha Islami.

Deklarimet e Islamit, vijnë në kuadrin e përpjekjeve që po bëhen nga PS për të shtyrë procesin zgjedhor për në vjeshtën e këtij viti, sikundër pohojnë burime brenda kësaj partie.

Në të vërtetë, javët e fundit, janë shtuar shumë deklaratat nga eksponentët e PS që hapur kanë konsideruar se procesi zgjedhor nuk po funksionon duke paralajmëruar një bojkot të mundshëm ose duke hedhur si opsion, ende jozyrtarisht, shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

e.l/NOA

KOMENTE