Një vend me shëndetësi të sëmurë nuk mund të pretendojë ta ketë popullin e shëndoshë! Shëndetësia kosovare është e sëmurë rëndë, ajo kërkon masa të menjëhershme, konkrete dhe të plota për shërimin e saj!
Sejdi Veseli
Shëndetësia e Kosovës është e sëmur rëndë. Ajo ka nevojë emergjente për reformim të plotë. Ky reformim do t'i ndihmonte asaj, së pari për t'u shëruar njëherë e mirë nga plagët e shumta që iu shkaktuan nga pushtuesi serbo-çetnik, hanuvorat unmikistaneze dhe dylberët e tyre shqipfolës, të cilat sollën atë deri te degjenerimi dhe degradimi, si në aspektin profesional, ashtu dhe në atë etik.
Jemi dëshmitarë, se përfundimi i luftës së armatosur çlirimtare, shëndetësinë kosovare e gjeti në një gjendje të rëndë, te plagosur për vdekje nga neomengelizmi serbo-çetnik.
Në shëndetësinë kosovare nuk u bënë as edhe njëra nga reformat, jo vetëm ato të mirëfilltat por as edhe ato më elementaret, te cilat i kane pritur gjate dhjete vjetëve te kaluara, që prej përfundimit të luftës, jo vetëm punëtorët shëndetësor por edhe qytetaret e Kosovës. Ata kanë pritur së koti tërë këto vite të pasluftës, se nga legjislativi i Vendit do të aprovoheshin ligje të reja, të përpiluara nga MSH, duke pas për bazë edhe kërkesat e popullit, që me ne fund kjo veprimtari shumë e rëndësishme do të rregullohej dhe zhvillohej sipas standardeve bashkëkohore evropiane, te përshtatura sipas kushteve vendore. U dëshmua në vepër, se ishin të kota të gjitha ato shpresa të punëtorëve shëndetësor, se për hir të përvojës së tyre të pasur profesionale, do t'u jepej mundësia nga përpiluesit dhe legjislativit që të merrnin pjese ne formulimin e këtyre ligjeve.
Përballë këtij realiteti, shumica e personelit mjekësor të Kosovës, ishte dhe mbetet e interesuar që shëndetësia jonë duhet t'u nënshtrohet reformave rrënjësore, të plota, të menduara drejt dhe të planëzuara mirë. Ngase ajo është e bindur, se kjo është rruga e vetme që garanton shërimin e plotë të saj. Megjithatë duhet theksuar, se këto reforma të mirëfillta dhe rrënjësore, gëzojnë mbështetjen e plotë vetëm nga ajo shtresë e punëtorëve shëndetësor e cila nuk është pjesë e vrapimit vampiresk për sigurimin e honorarëve të majme, nëpër universitete, institucione të ndryshme private, nëpër organizma ndërkombëtare shëndetësore të cilat po e "ndihmojnë" Kosovën për t'u përballur "me sukses" me probleme të shumta dhe nëpër komisione të ndryshme, në MSH dhe në organizmat tjerë legjislativ e qeveritar.
Të gjitha veprimet e bëra deri me sot, jo vetëm se nuk rezultojë me ndonjë reformë serioze, të qëndrueshme dhe me ndikim në shërimin njërës nga plagët e shumta të shëndetësisë tonë, por përkundrazi ato ndikuan që ajo të pësojë stërkeqëje të përgjithshme. Kjo stërkeqëje po vazhdon edhe pas lindjes së sloganit mashtrues "Bac u kry".
Faktet flasin vetë, kjo gjendje nuk mund të ndryshojë për të mirë me fjalime boshe, të përpiluara nga honorarxhinj të paguar mirë dhe me letërnxirje të bazuara në përkthimet shkel e shko, nga ueb-faqet e ndryshme, sidomos nga ato në gjuhën kroate, boshnjake, bile edhe serbe.
Për disa lexues të këtij shkrimi, ky konstatim do të duket i çuditshëm dhe i pa vend. Por çka të bëjmë, ky është realiteti jonë i hidhur. Për këtë ka shumë argumente. Argumenti më i qëndrueshëm dhe më i mirë për t'i bindur edhe kundërshtarët më idhnak të këtij shkrimi, gjendet lehtë. Ai është prezent në të gjitha institucionet shëndetësore, veçanërisht në QKUK. Mjafton të qëndrohet 2-3 orë në pjesën emergjente të këtij institucioni të lartë të mjekësisë tonë dhe të shihen në vepër:
-përpjekjet  maksimale të profesionistëve të shkëlqyeshëm për shpëtimin e jetëve të pacientëve të sjellë nga të gjitha anët e Truallit, të të gjitha moshave dhe gjinive;
-mungesa gati totale, si e mjeteve të domosdoshme për diagnostikime emergjente ashtu dhe e barërave të domosdoshme-esenciale;
-humanizmin e shumicës së këtyre mantel-bardhëve, të cilët, ndodh të japin edhe lekun e fundit për të blerë barin e domosdoshëm për pacientin e tyre, ngase nuk i gjendet askush afër nga familjarët, të cilët zakonisht e blejnë gati terë terapinë për të afërmit e tyre...
Për ballë këtij realiteti imponohet pyetja: Çka të bëhet për tejkalimin e kësaj gjendjeje ngulfatëse për shëndetësinë tonë?
Mbështetur në bisedat e shumta qe kam pas me punëtorë shëndetësor, kam guximin që ta them publikisht, se përgjigja e vetme dhe përkatëse është reformimi i plotë i shëndetësisë tonë!!!
"Peshku prishet në krye" - thotë populli.
Nisur nga kjo thënie me porosi shumë të qartë, pa u hamendur mund të përfundohet, se një reformim i plotë, i menduar drejt e mirë i shëndetësisë tonë, as që mund të paramendohet se do të dhe mund të bëhet nga ata, të cilët me mos-punën e tyre e thelluan përkeqësimin e saj. Sidomos, nga ata të cilët shpenzojnë pa mëshirë lekët e mbledhur nga taksapaguesit dhe nga donatorët e jashtëm, siç ndodhi me 26 maj 2009, pa u mërzitur fare kur afro 200 metra larg vendit ku bëhej njëri prej ahengjeve, personelit të angazhuar rreth pacientëve të sëmurë nga ethet hemorragjike i mungonte pajisja përkatëse mbrojtëse, ndërsa edhe për pacientët e shtrirë në emergjencë, si pasojë e mungesës së barërave, mjekët detyroheshin të kërkonin nga familjarët që t'ua blinin barërat të afërmve (edhe ato esencialet) dhe t'ua sillnin sa më shpejt! Â
Prishtinë, 27 Maj 2009