Shkup, 27 maj, NOA - Përfaqësimi i shqiptarëve në administratën shtetërore maqedonase vazhdon të ngecë dhe deri tani nuk janë realizuar punësimet e parashikuara sipas Marrëveshjes së Ohrit.
Shqetësimi është paraqitur nga opozita shqiptare, e cila ka vënë alarmin se qeveria aktuale që nga fillimi i saj ka ngecur me procesin e përfaqësimin e duhur të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në institucionet shtetërore.
PDSH nëpërmjet një reagimi ka shpalosur të dhënat e saj lidhur me vazhdimin e procesit të përfaqësimit.
"Jo vetëm që është bllokuar përfaqësimi, por me masat e reja qeveritare për përballimin e krizës një numër i madh i shqiptarëve të punësuar me kontrata të përkohshme pune janë larguar nga puna apo pas skadimit të këtyre kontratave pritet të largohen. Opinioni duhet të ketë të qartë se çfarë po ndodhë me këtë qeveri e cila po çon vendin dhe shqiptarët drejt regresit", bëjnë të ditur nga selia e PDSH-së.
Nga ana tjetër, sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ka përjashtuar zërat se nuk do të ketë punësime të reja të shqiptarëve gjatë këtij viti. Kabineti i zëvendëskryeministrit për marrëveshjen e Ohrit, Abdylaqim Ademi ka theksuar se nuk janë shkurtuar mjetet për punësime të reja që janë pjesë e planit të përfaqësimit të pjesëtarëve të bashkësive etnike. Sipas planit të përfaqësimit të paraparë me marrëveshjen e Ohrit,shqiptarët duhet të jenë të përfaqësuar në institucionet shtetërore me 26 për qind, ndërsa edhe përkundër kalimit të 8 viteve nga firmosja e marrëveshjes, përfaqësimi ka arritur deri në 17 për qind. NOA-INA