Prishtinë, 27 maj/ NOA - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, vendosi të mos shkojë nesër në Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë (FYROM), në shenjë proteste ndaj gafave diplomatike që bëri shteti fqinjë me axhendën e vizitës së tij.
Lajmi konfirmohet nga kabineti presidencial i cili sonte sqaroi faktin se më 13 maj 2009, mori ftesë për vizitë zyrtare njëditore nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë, z. Gjorge Ivanov.
Kjo ftesë, thotë Presidenca, u pranua dhe iu konfirmua palës maqedonase nga Zyra e Presidentit te Republikës së Kosovës më datë 13 maj 2009.
"Ndërkohë, meqenëse pala maqedonase e ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu e anuloi vizitën në Republikën e Maqedonisë, të planifikuar për datën 28 maj 2009", - konfirmoi zyra e kryetarit të shtetit më të ri.
Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, si dhe institucionet e Republikës së Kosovës, mbeten të përkushtuara për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e veçmas me fqinjët, duke u dhënë këtyre marrëdhënieve peshën dhe vlerën serioze që e meritojnë, thuhet në qëndrimin zyrtar të Presidencës.
a.b/NOA