English

BE pritet të heqë vizat për disa vende të Ballkanit Perëndimor

Tiranë, 28 maj/ NOA/DW- Në samitin e ardhshëm të BE-së, i cili do të zhvillohet në qershor, pritet që disa vende të Ballkanit Perëndimor të futen në "listën e bardhë të Shengenit", që do të thotë se do të hiqen vizat për qytetarët e këtyre vendeve.

Në rend dite do të jetë edhe Serbia, e cila po përballet me disa probleme serioze. Pengesat për futjen e Serbisë në "listën e bardhë të Shengenit" mund të ndahen në ato teknike dhe politike.

Ekspertët në Beograd thonë se Serbia në aspektin teknik i ka kryer të gjitha detyrat e duhura. Problemet janë më shumë të natyrës politike, thotë Jovan Teokareviç, profesor në Fakultetin e shkencave politike në Beograd dhe kryeredaktor i gazetës "Forumi Evropian".

"Kemi ardhur deri në stacionin e parë, ku shihet shumë qartë se politika e deritanishme e Beogradit ndaj Kosovës, sipas motos edhe BE-ja edhe Kosova, nuk do të na çojë shumë larg. Shkurt problemi është dhënia e pasaportave për qytetarët e Kosovës", - thotë Teokareviç.

Autoritetet e Serbisë me deklaratat e tyre e kanë futur veten në një qorrsokak. Problemi për momentin ndoshta edhe mund të zgjidhet, por zgjidhja nuk do të jetë e mirë, paralajmëron profesori Teokareviç.

"Në se po i kuptoj mirë përfaqësuesit e qeverisë serbe, ata do të premtojnë se do të vazhdojnë t'u japin pasaporta shqiptarëve të Kosovës. Por njëkohësisht shqiptarëve do t'u paraqiten pengesa gjithnjë e më të mëdha për marrjen e këtyre dokumenteve. Autoritetet e Beogradit do të thonë se të gjithë qytetarët e Kosovës mund të pajisen me pasaporta të Serbisë e në fakt pasaportat do t'u jepen vetëm serbëve të Kosovës", - deklaron Teokareviç

Në kushtet e tanishme një pikëpyetje edhe më e madhe për Serbinë është se çfarë do të bëhet me statusin e Kosovës deri në anëtarësimin në BE?

Serbia do të detyrohet që për disa vite të pajtohet me statusin e tanishëm të Kosovës, ose nuk do të pranohet në BE, - pohon Teokareviç.

"Afati i parë jo tepër serioz do të vijë pas një viti, kur pritet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Pa marrë parasysh, se cili do të jetë mendimi i saj, prej atij momenti të gjithë do të detyrohen të ripozicionohen ndaj pavarësisë së Kosovës. Do të ishte mirë, që lidhur me këtë çështje vitin e ardhshëm në Serbi të hapet një debat publik serioz. Vitet e kaluara kemi debatuar për Tribunalin e Hagës për krime lufte, ndërsa dekadën e ardhshme, ose të paktën disa vite të ardhshme, do t'i kalojmë në dilemën: Kosova apo BE-ja", - përfundon z. Teokareviç.

KOMENTE