Tiranë, 28 maj NOA - Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në takimin e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare, që u organizua në Pallatin e Kongreseve, ku ndër të tjera u lancua platforma elektorale e "Rolit të Gruas për Zhvillim dhe Integrim".
"Është një mbarësi e jashtëzakonshme e Partisë Demokratike të çelë sot këtu me ju fushatën elektorale, fushatën e fitores, fushatën e rikthimit te 22 marsit 1992, fushatën e horizontit të ri Europian, fushatën e ëndrrave të shndërruara në realitet për ju, për fëmijët tuaj dhe fëmijët e fëmijëve tuaj" u shpreh Berisha.
"Fushata elektorale e Partisë Demokratike është çelur një vit më parë, në të gjitha tubimet e grave të Shqipërisë. Gratë dhe vajzat, gjatë më shumë se një vit, mbushën sheshet, stadiumet dhe sallat me thirrjet e fuqishme për fitore dhe me besimin e madh të fitores. Ndaj edhe ky takim është vazhdimi i atyre.
Unë dua t'ju garantoj ju se mbetem gjithnjë i përkushtuar dhe i bindur se Shqipëria dhe kombi ynë nuk mund të jenë kurrë të emancipuar në rast se ju nuk vendoseni në piedestalin që meritoni dhe në rast se ne nuk realizojmë ‘de juro' dhe ‘de facto' barazinë midis babait dhe nënës, motrës dhe vëllait, bashkëshortit dhe bashkëshortes" shtoi më tej kryeministri.
Sipas tij tij, sot administrata e Sali Berishës ka 59 për qind të saj zonjusha dhe zonja.
"Qeveria ka hedhur bazat të shëndosha ligjore kundër dhunës në familje. Unë ju garantoj ju se katër vitet që vijnë do të jetë vite të tolerancës zero ndaj dhunës. Dinjitet i nënës, i gruas dhe i femrës shqiptare nuk mund të preket. Ne së bashku, katër vitet që vijnë do të arrimë të shohim një Shqipëri tjetër; një Shqipëri e cila do të ketë një infrastrukturë më moderne nga jugu në veri; një Shqipëria e cila do të mund të punësojë së paku 160 mijë qytetarë të saj; një Shqipëri e cila do të njoh revolucionin industrial më të fuqishëm të Ballkanit dhe më gjerë; një Shqipëri e cila do të njoh rritjen progresive të mirëqenies së qytetarëve të saj më shpejt se në çdo vend tjetër; një Shqipëri e cila do të njoh një konsolidim të arsimit të fëmijëve të saj dhe të shërbimeve shëndetësore, një Shqipëri tërësisht evropiane" deklaroi në fjalën e tij Berisha.
k.k/NOA