Shkup, 28 maj, NOA - Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ka shprehur keqardhje për mosrealizimin e vizitës me presidentin e ftuar të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Kjo është kumtuar nëpërmjet një komunikate për media të lëshuar nga kabineti i presidentit Ivanov.
"Kryetari i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov është thellë i përkushtuar për kultivimin e marrëdhënieve të mira dypalëshe me fqinjët e Republikës së Maqedonisë ,si dhe për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal mes shteteve të Ballkanit", thuhet në komunikatën për media. Poashtu theksohet se Presidenti Ivanov beson se marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Kosovës kanë potencial të madh dhe do të intensifikohen dhe thellohen në të ardhmen e afërt.
"Presidenti Ivanov është thellë i bindur se marrëdhëniet dypalëshe me fqinjët të vendosura mbi parimet e barazisë dhe demokracisë janë ardhmëri e qytetarëve të Maqedonisë dhe qytetarëve të Ballkanit .Për këtë arsye udhëheqësit e Ballkanit kanë përgjegjësi të madhe për të punuar për tejkalimin e mosmarrëveshjeve eventuale apo mosbesimit të trashëguar me qëllim që të sigurohet ardhmëri e përparuar e qytetarëve të saj", bëhet e ditur në fund të njoftimit të presidencës maqedonase. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu anuloi dje vizitën e paralajmëruar për sot në Shkup, me arsyetimin se autoritetet maqedonase kanë ndryshuar karakterin e vizitës zyrtare. "Presidenti i Republikës së Kosovës si dhe institucionet e saj, mbeten të përkushtuara për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e veçmas me fqinjët - duke u dhënë këtyre marrëdhënieve peshën dhe vlerën serioze që e meritojnë", theksohet në njoftimin e kabinetit të presidentit Sejdiu.
NOA-INA