English

Listat e ish-të përndjekurve, MD: Gazetat publikuan listë të pasaktë

Tiranë, 28 maj/ NOA - Ministra e Drejtësisë sqaroi sot se është duke mbyllur listën e dytë të dëmshpërblimit për rreth 4 mijë ish-të dënuarit politikë e cila do t'i dërgohet Këshillit të Ministrave për miratimin përfundimtar.

Kurse sqaroi se lista me 3198 emra e publikuar sot në disa të përditshme është e pasaktë. Marsida Xhaferllari, Drejtore e Përgjithshme e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë dhe e ngarkuar nga Ministri Alibeaj për ndjekjen e procesit të dëmshpërblimit financiar të ish- të dënuarve politikë, doli para mediave për të sqaruar "telashet" me listat.

"Lista e publikuara ne media sot nuk është një listë e plotë, ajo është një listë me emrat e ish-të dënuarve politikë drejtuar Ministrisë së Financave, Entit Kombëtar të Banesave dhe Zyrës së Pasurive të Paluajtshme për verifikimin e përftimeve që ish-të dënuarit kanë marrë më parë", - deklaroi Xhaferllari.

Ajo sqaroi më tej se emrat e përfituesve të dalë në këtë listë janë edhe në listën përfundimtare por bashkë me ta ka edhe emra të tjerë verifikimi (nga Financat, Enti i Banesave dhe ZRRPP) për të cilët tashmë ka mbaruar.

Në këtë listë të dytë janë rreth katër mijë emra fitues. kurse në Ministrinë e Drejtësisë janë depozituar rreth 19 mijë kërkesa për dëmshpërblim financiar.

Xhaferllari theksoi se procesi i dëmshpërblimit është një proces që zgjat: "Ministria e Drejtësisë ka rolin qendror në procedurën administrative të shqyrtimit të kërkesave, megjithatë ky është një proces i lidhur edhe me institucionet e tjera pasi ne e rakordojmë informacionin me Ministrinë e Brendshme, me Ministrinë e Mbrojtjes, Arkivin e Shtetit, SHISH, Ministrinë e Financave, Entin e Banesave dhe ZRPP-në, sigurisht edhe me qytetarët sepse ka disa dokumente që duhet t'i paraqesin ata".

Sipas Xhaferllarit, i gjithë ky bashkërendim sjell shtrirje në kohë të gjithë procesit, i cili nuk mbaron me paraqitjen e kërkesës në Ministrinë e Drejtësisë.

"Me përfundimin e procesit administrativ dosjet e përfunduara që i kanë aktet e plota përfshihen në një listë dhe kjo listë dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave, pra është Këshilli i Ministrave autoritetit që vendos përfitimin e dëmshpërblimit financiar.

Në këto momente Ministra e Drejtësisë është duke mbyllur listën e dytë që do t'ia ia dërgojë Këshillit të Ministrave", - përfundoi Xhaferllari.

k.k/NOA

KOMENTE