English

LSI, Gjoni: Raporti i Amnesty International tregon se qeveria është më e korruptuar

Tiranë, 28 maj NOA - Me anë të një deklarate për shtyp zëdhënësi i LSI-së Ralf Gjoni ka komentuar raportin vjetor mbi të drejtat e njeriut të organizatës ndërkombëtare Amnesty International, duke e quajtur një shqetësim gjendej katastrofike ku gjendet Shqipëria sot.

"Sipas Amnesty International, niveli i papunësisë mbetet tejet i lartë ndërsa 18% e popullësisë jeton nën minimumin e varfërisë, duke shpenzuar më pak se $2 dollarë në ditë. Për rrjedhojë, kjo shtresë që vuan nga varfëria e ka të pamundur të përfitojë nga shërbimet shëndetësore dhe ato sociale kur ju nevojiten. Kjo pjesë e popullsisë është dhe ajo e cila nuk ka mundësi të shkollohet, duke krijuar dhe një problem tjetër të madh - atë të rritjes së analfabetizmit në vend" u shpreh Gjoni.

"Dështimi tjetër i kësaj qeverie, sipas këtij raporti është shtimi i korrupsionit në zyrat dhe në administratën shtetërore. Gjithashtu edhe besimi në prokurori si dhe në gjykatë ka njohur një rënie të ndjeshme. Korrupsioni që ka marrë peng vendin duket qartë edhe nga mungesa e zbardhjes së çështjes së Gërdecit, guri i zi i kësaj qeverie, e cila refuzon të çojë fajtorët e vërtetë në bankën e akuzës.

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, tepër shqetësues mbetet edhe dhuna në familje dhe ajo ndaj gruas që ka njohur rritje kohët e fundit. Në disa raste kjo dhunë është shoqëruar dhe me vdekjen e këtyre viktimave, të cilat kanë pasur frikë t'u drejtohen organeve kompetente. Në Shqipëri sot një në tre gra dhunohet duke lëkundur kështu besimin tek strukturat e policisë dhe tek mbrojtja që duhet të ofrohet nga shteti" shtoi më tej Gjoni.

Sipas tij është e qartë sot se qeveria Berisha administron një shtet të paaftë që nuk gjendet pranë qytetarit në orën e tij të nevojës.

k.k/NOA

KOMENTE