English

Marrëveshje me Italinë për emigrantët, mbi vitet e punës për pensionet

Tiranë, 28 maj/ NOA - Autoritetet shqiptare arrijnë një marrëveshje në dobi të emigrantëve shqiptarë në Itali. Ajo është nënshkruar mes Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe partnerëve italianë të INAS-CISL, i cili është edhe Instituti më i madh i asistencës sociale për emigrantëve në Itali.

Për këtë qëllim, u zhvillua sot në Tiranë një takim mes drejtuesve të këtyre institucioneve. Pjesëmarrëse në këtë takim ishte edhe nëndrejtoresha e bankës Intesa San Paolo, Adriana Ujka, si institucion partner në këtë marrëveshje.

Përmes kësaj marrëveshje do të bëhet e mundur një bashkëpunim mes dy institucioneve me qëllim që:

T'u ofrohet falas të gjithë emigrantëve që jetojnë në Itali informacion lidhur me legjislacionin shqiptar të Sigurimeve Shoqërore dhe të gjitha ndryshimet që i bëhen këtij legjislacioni në kohë reale.

Të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali u krijohet mundësia që të mbledhin informacion për historikun e tyre kontributiv që ata kanë realizuar në Shqipëri, direkt nga vendet ku jetojnë, pa qenë e nevojshme që ata të shpenzojnë kohën dhe pushimet e tyre në Shqipëri për të mbledhur këtë informacion (p.sh në rastet kur nuk kanë patur mundësi të tërheqin librezat e punës në qendrat e punës ku ata kanë punuar, iu kanë humbur librezat, u ka humbur dokumentacioni personal).

Po kështu, të gjithë ata që konsiderojnë si mundësi rindërtimin e periudhave të tyre kontributive në shtetin shqiptar me qëllim mbrojtjen sociale në rastet e pleqërisë, invaliditetit dhe humbjes së mbajtësit të familjes, nëpërmjet kësaj protokoll marrëveshjeje iu krijohet mundësia e marrjes së informacionit dhe futjes në skemë, direkt nga vendet ku jetojnë, nëpërmjet zgjerimit të bashkëpunimit INAS-CISL, ISSH-Banka Intesa San Paolo. INAS-CISL ka marr përsipër të ofrojë shërbimin falas për emigrantët shqiptarë në fushën e mbrojtjes sociale. Pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga emigrantët do të bëhet pranë qendrave ku jetojnë dhe punojnë në sportelet e Banka Intesa San Paolo. Kjo bankë do të bëj njëherë në muaj xhirimin e kontributeve të paguara në llogaritë e ISSH së bashku me formularët dhe dokumentet shoqërues. ISSH-ja do të bëjë monitorimin e të gjithë këtij procesi si dhe evidentimin e periudhave të sigurimit nga emigrantët për efekt të përfitimit të pensionit.

Takimi

Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH-së, Evelina Koldashi theksoi se "ne kemi rënë dakord për zgjerimin e marrëveshjes që ky protokoll të funksionojë në të gjitha degët që ka INAS-CISL edhe në Kanada, SHBA dhe të gjitha vendet evropiane, çka do t'u japë mundësinë e informimit edhe shqiptarëve që ndodhen në këto vende lidhur me historikun kontributiv dhe ndryshimet në legjislacionin e sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, shpresojmë të arrijmë edhe marrëveshjen për të bërë të mundur që përmes marrëveshjes me bankën Intesa San Paolo të bëjmë të mundur transferimin e pensioneve për të gjithë pensionistët që dëshirojnë ta tërheqin atë në vendin ku jetojnë", përfundoi ajo.

Ndërsa Presidenti i Patronatit INAS-CISL, Anttonino Sorgi theksoi se është i bindur që një vit pas firmosjes së protokollit të bashkëpunimit, kemi të bëjmë me një bashkëpunim efektiv.

"Ne kemi mbledhur shumë modele komunikimi gjatë përvojës tonë të asistencës me emigrantët dhe tashmë jemi në gjendje të ofrojmë modelin më të mirë edhe për emigrantët shqiptarë. Mund të them se shumë emigrantë kanë marrë tashmë asistencën nga ana jonë. Ne dëshirojmë që përmes punës sonë ta shkurtojmë largësinë që kanë emigrantët me vendin e tyre. Pas këtyre hapave, qytetarët shqiptarë në Itali mund ta konsiderojnë INAS-in një institucion të integruar më Sigurimet Shoqërore në Shqipëri", theksoi Sorgi.

KOMENTE