English

Palasë, mbytet në det 25-vjecari

Vlorë, 28 maj NOA - Shënohet viktima e parë e verës në Vlorë.

Ngjarja ka ndodhur sot në brigjet bregdetare të Palasës, në vendin e quajtur "Rrugët e Bardha", kur katër të rinj vlonjat kishin shkuar për zhytje, ndërsa vetëm tre janë kthyer në shtëpi.

Klodian Qejvani, ka humbur jetën pasi është zhytur, e sipas ekspertëve mjeko-ligjor, shkak i vdekjes së të riut mendohet të ketë qenë një atak kardiak i shkaktuar nga sforcimi i zhytjes.

Sipas miqve që e shoqëronin të riun, ata ishin të apasionuar pas zhytjeve me maska, dhe sot në mëngjes ishin nisur në drejtim të Palasës.

Kishin ndalur te "Rrugët e Bardha", dhe aty kishin përcaktuar edhe vendin e zhytjes. Klodiani u zhyt njëkohësisht me një mikun i tij, por më pas nuk po reagonte më në ujë gjë e cila ka larmuar shokët e tij të cilët e nxorën me shpejtësi në breg.

Ka qenë e kotë tentativa për t'i shpëtuar jetën, me metoda të ndërhyrjes së shpejtë, pasi 25-vjecari Qejvani, kishte ndërruar jetë.

Më tej trupi i pajetë i të riut është çuar në morgun e spitalit rajonal të Vlorës, dhe më pas është tërhequr aty nga familjarët e tij.

k.k/NOA

KOMENTE