Prishtinë, 28 maj, NOA - Në një raport të publikuar së fundmi nga Grupi Ndërkombëtar për të Drejtat e Pakicave raportohet se në Kosovë vitet e fundit janë theksuar edhe më tej ndarjet etnike në zonën shqiptare dhe serbe.
Ndërkaq, raporti vë në dukje se në Kosovë grupet e tjera etnike janë lënë në harresë.
Për këtë arsye, kjo organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut thotë se diskriminimi i vazhdueshëm është bërë faktor që po i shtyn të largohen nga Kosova shumë pjesëtarë të pakicave etnike.
Raporti shpreh shqetësim për fatin e pakicave të tjera të këtij vendi, përfshirë boshnjakët, kroatët, turqit, goranët dhe romët.
Brenda faqeve të tij thuhet se ekziston rreziku i një zhvendosje të pandërprerë të komuniteteve pakicë që jetojnë prej shekujsh në Kosovë.
Lidhur me këto fakte, organizata u bën thirrje autoriteteve në Kosovë të garantojnë pjesëmarrjen aktive të të gjitha pakicave, në të gjitha aspektet e jetës publike. Po ashtu kjo organizatë i bën thirrje Bashkimit Evropian t'u kushtojë më shumë vëmendje komuniteteve pakicë në Kosovë.
n.e/NOA