Prishtinë, 28 maj/ NOA - "Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar të ndihmojë Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit".
Pohimin e bëri sot, ambasadorja e SHBA-ve në Prishtinë, Tina Kajdanov. Ajo mori pjesë në një ceremoni ku ambasada amerikane i dhuroi Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme të Kosovës pajisje me vlerë prej 430 000 dollarësh. Pajisjet përfshijnë dy autoambulanca me pajisje komplete, trembëdhjetë vetura tjera, dhjetë komplete për gjurmë të gishtërinjve, gjashtë fotoaparate digjitale dhe pajisje të ndryshme zyre.
Ambasada tha se pajisjet do t'i ofrojnë ministrive resurse shtesë për të shërbyer dhe mbrojtur popullin e Kosovës dhe për të zbatuar sundimin e ligjit në mbarë vendin.
"Siç e ka bërë të qartë dhe zëvendëspresidenti Xho Bajden gjatë javës së kaluar, ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë Kosovën në forcimin e institucioneve të cilat janë esenciale për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive për të gjithë qytetarët e Kosovës", tha Kajdanov.
Kurse ka premtuar mbështetje shtesë në pajisje për institucionet kosovare në vitin e ardhshëm.
"Kosova është një shtet i ri dhe në zhvillim dhe do të ketë nevojë si për ekspertizë ashtu edhe për pajisje për të ndihmuar në zbatimin e sundimin të ligjit. Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar të ndihmojë Kosovën të arrijë objektivat e veta në forcimin e sundimit të ligjit", - tha Kajdanov.
Kurse premtoi se "përveç pajisjeve të cilat i shihni sot këtu, në vitin e ardhshëm - dhe gjithherë në koordinim me partnerët tanë evropianë - ne do t'i ofrojmë asistencë teknike Ministrisë së Punëve të Brendshme; do të punojmë të përmirësojmë shkathtësitë hetuese të Policisë së Kosovës në lëmenjtë e krimit financiar dhe të organizuar si dhe në trafikim me qenie njerëzore, dhe do të ofrojmë ekspertë që do të punojnë me Departamentin për Kufi dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të themeluar një sistem modern të imigrimit dhe azilit që përmbush standardet ndërkombëtare".
Po ashtu, Kajdanov premtoi se "do të ofrojmë trajnime për prokurorët e Kosovës në tema specifike, dhe do të punojmë për të krijuar bashkëpunim më të mirë ndërmjet policisë dhe prokurorëve në hetimin dhe ndjekjen e krimeve komplekse".
a.b/NOA