Prishtinë, 28 maj NOA - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është përgjigjur sot në interesimin e medias lidhur me anulimin e vizitës së presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu në Republikën e Maqedonisë.
Thaçi tha se ky është vendimi më i drejtë, i mundshëm, i presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
"Është vendim i institucioneve të Kosovës, dhe si i tillë, e ka përkrahjen time të plotë, dhe të vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Definitivisht, Shkupi zyrtar duhet të largohet nga ndikimi i politikës së mbrapshtë të Beogradit në raport me Kosovën", - sqaroi Thaçi. "Ne po investojmë, - shtoi, ai, - që të kemi raporte shumë të mira si dy shtete të pavarura, sovrane, demokratike dhe me perspektivë të sigurt euroatlantike, edhe për Kosovën edhe për Maqedoninë".
Por, Kosova, - vazhdoi Thaçi, - e ka dinjitetin e vet, e ka krenarinë e vet, është shtet i pavarur që i merr vendimet e veta.
"Ne do të vazhdojmë punojmë që të kemi bashkëpunim të mirë me Maqedoninë, siç e kemi pasur deri më tash" - ka theksuar kryeministri.
Vendimi i presidenti Fatmir Sejdiu që të anulojë vizitën në Maqedoni, është vlerësuar si vendimi më i drejtë i mundshëm nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi. Presidenti anuloi dje vizitën e paraparë të bëhej sot, meqenëse pala maqedonase ndryshoi karakterin e vizitës zyrtare një ditë para se ajo të ndodhte. Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Shkupi duhet të largohet nga ndikimi i Beogradit. Nga Presidenca nuk janë dhënë sqarime tjera pas këtij vendimi, por në komunikatën për media qe bërë e ditur se pavarësisht këtij vendimi, presidenti si dhe institucionet tjera mbeten të përkushtuara për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, e veçmas me fqinjët, duke u dhënë këtyre marrëdhënieve peshën dhe vlerën serioze që e meritojnë. Anulimi i vizitës në Maqedoni është pritur mirë nga përfaqësues të partive politike dhe nga analistët në Kosovë. Kurse evidentojnë se pas vendimit të presidentit, raportet mes dy shteteve duken të ftohura.
Ata vlerësojnë se nuk është praktikë diplomatike që agjenda e vizitës të ndryshohet në mënyrë unilaterale një ditë para se kjo vizitë të ndodhë. Raportet mes Kosovës dhe Maqedonisë, kanë nisur të ftohen që kur Shkupi nuk e ftoi presidentin Sejdiu në inaugurimin e homologut të tij, Gjorgje Ivanov. Shkak ishte pjesëmarrja e presidentit serb, Boris Tadiç. Pas kësaj, presidenti Sejdiu u ftua të jetë burrështetasi i parë që takon Ivanovin që nga inaugurimi i tij.
Por, Shkupi ndryshoi karakterin e vizitës në moment të fundit, gjë që shkaktoi anulimin e saj nga ana e Prishtinës.
a.b/NOA