English

Aksidentohet në Greqi, autobusi me shqiptarë i linjës Tiranë-Athinë

Medini, 29 maj, NOA - Një aksident automobilistik, i cili mund të shoqërohej me pasoja të rënda, por për fat të mirë jo, i ka ndodhur në Greqi një autobusi i cili po transportonte emigrantë shqiptarë.

Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, autobusi ishte i linjës Tiranë-Athinë dhe është përmbysur mëngjesin e sotëm rreth orës 3.15 në vendin e quajtur Medini, disa dhjetëra kilometra larg Athinës.

Të dhënat paraprake të policisë greke mbi ngjarjen, tregojnë se autobusi ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një hendek në anë të saj.

Për fat të mirë, nga ky devijim 8 nga 38 pasagjerët shqiptarë të autobusit kanë marrë vetëm plagë të lehta, pa asnjë rrezik për jetën. Të dëmtuarit nga ky aksident, janë dërguar me autoambulanca në spitalin e Artës dhe pas ndihmës së parë dhënë atje, vetëm 3 nga pasagjerët u mbajtën nën trajtim mjekësor, ndërsa të tjerët janë lënë të lirë që të vazhdojnë më tej udhëtimin.

n.e/NOA

KOMENTE