Tiranë, 29 maj, NOA - Historia e trishtë e çiftit Hasa në Tiranë, e nisur pak pas vitit të ri, është mbyllur në mënyrën më tragjike të mundshme paraditen e sotme.
Besnik Hasa, lindur në Kukës dhe banues në Bathore është gjendur në qeli i vetëvarur dhe më pas ka ndërruar jetë pa mundur të shpëtojë dot pas dërgimit në spital.
I ndjeri Hasa, është vënë në pranga më 8 janar nga efektivat e Komisariatit nr. 5 të Tiranës dhe akuzohej për veprën penale të "shkaktimit të vetëvrasjes".
Çështja në ngarkim të 44-vjeçarit ishte caktuar të shqyrtohej nga ana e gjyqtarit Petrit Çomo.
Ngjarja e sotme
Burime zyrtare të policisë së Tiranës që konfirmuan lajmin për agjencinë e Lajmeve NOA, saktësuan se ka qenë ora 10.55 kur ai ka kryer veprimin fatal. Policia konfirmon se Hasa ka ndërruar jetë në orën 11.16, të paradites së sotme, pas dërgimit të tij në spital.
I dënuari ka vendosur t'i japë fund jetës në mjediset e qelisë së burgut nr 313 të Tiranës, ku gjendej që prej muajit janar të këtij viti, pasi hetohej për veprën penale të "shkaktimit të vetëvrasjes".
Detajet e para që jep policia mbi ngjarjen, janë ato të të gjeturit të Besnik Hasës në krevat, i varur me çarçaf.
Mësohet se i ndjeri e kishte planifikuar që më parë vetëflijimin sepse sot paradite, ai kishte shfrytëzuar momentin kur ndodhej i vetëm, pasi shoku i qelisë gjendej në orën e ajrimit.
Ngjarja e 6 janarit 2009
I pandehuri Besnik Hasa është proceduar penalisht për shkaktimin e vetëvrasjes ndaj bashkëshortes së tij, Elisabeta, në datën 6 janar të këtij viti.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur në periferi të Tiranës dhe pas aktit vetëflijues, policia dërgoi materialet në prokurori ndaj 44-vjeçarit Hasa, që u akuzua se ushtronte dhunë fizike ndaj 27-vjeçares.
Hetimet rezultuan se pas drurit të radhës, i dënuari i kishte vënë në duar bashkëshortes mjetin me të cilin ajo duhej të vetëflijohej.
Ndërsa më pas, duke menduar se nuk kishte të bënte aspak me ndonjë vepër penale, ia ka rrëfyer ngjarjen të atit dhe policëve, duke menduar se ishte i pafajshëm dhe se gruaja "ishte vetëflijuar me dëshirë".
Besnik Hasa ishte baba i tre fëmijëve të mitur dhe ngjarja që i mori jetën të shoqes Elisabeta, tronditi pa masë atëherë opinionin publik.
Më 28 prill 2009, Prokuroria e Tiranës kishte mbyllur hetimet ndaj 45-vjeçarit, i akuzuar për veprën penale të "shkaktimit të vetëvrasjes".
Besnik Hasa i arrestuar më 8 janar të këtij viti, akuzohej se kishte çuar drejt vetëflijimit bashkëshorten e tij, Elisabeta Hasa, nënë e tre fëmijëve, me vdekjen e saj, të mbetur jetimë, - thuhej në dosjen hetimore.
Nga hetimet e kryera prokuroria evidentonte se, ka rezultuar se 44-vjeçari për disa muaj me radhë kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, 27 vjeçare Elisabeta Hasa, pasi ishte xheloz ndaj saj.
Për këtë shkak i pandehuri konsumonte pije alkoolike si dhe e godiste viktimën, me grushte e shpulla.
Sipas hetimeve, një ditë para krimit, më 5 janar 2009, i pandehuri ishte kthyer në banesë rreth orës 22:30, ku pasi ka darkuar me familjen është shtrirë për të fjetur.
Për shkak se nuk kishte pirë ilaçet e gjumit ai ishte ngritur dhe më pas kishte nisur të debatonte me bashkëshorten e tij.
Në debat e sipër, duke gdhirë 6 janari 2009, ai i ka dhënë litarin e djepit, duke i thënë që të varte vete veten. Sipas hetimeve 27-vjeçarja ka marrë litarin dhe më pas është varur në dritaren e dhomës së gjumit.
Zyrtarisht policia tha pas ngjarjes se "u bë ndalimi i 44-vjeçarit Besnik Hasa, lindur në Kukës dhe banues Bathore Tiranë, pasi rezulton se është autor i dyshuar i shkaktimit të vetëvrasjes së bashkëshortes së tij, Elisabeta Skënder Hasa, 27 vjeç, e cila rreth orës 02.00 të 6 janarit 2009, e cila ka varur veten me një shall në dritaren e banesës së saj".
e.l/NOA