English

Helmimi, 40 studentët dalin nga spitali pas serumeve, nisen drejt Maqedonisë

Tiranë, 29 maj, NOA - Janë larguar nga mjediset e Spitalit Ushtarak, në gjendje të mirë shëndetësore 40 studentët shqiptarë nga Maqedonia, të cilët u drejtuan dje pranë këtij spitali për të marrë ndihmë mjekësore, pasi rezultonin të helmuar.

Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, mjekët e spitalit informojnë se vetëm 14 prej këtyre studentëve paraqisnin nevojë për të marrë serum dhe u është dhënë leja për t'u larguar në orën 01.30 të natës, vetëm pasi është konfirmuar gjendja e tyre e mirë shëndetësore. 40 studentët, rreth orës 22.00 të mbrëmjes së djeshme ata janë drejtuar në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmën e parë pasi nuk janë ndjerë mirë pas konsumimit të ushqimit në një mjedis pranë stadiumit "Qemal Stafa".

Bëhet e ditur se ata kanë qenë për një vizitë disa ditore në Shqipëri, kanë vizituar qytetin dhe plazhin e Durrësit e më pas janë zhvendosur në Krujë.

Ndërkaq, dje ata kishin mbërritur në Tiranë ku kanë lëvizur gjatë gjithë ditës nëpër pika të ndryshme të kryeqytetit, por janë detyruar të transportohen me shpejtësi drejt Spitalit Ushtarak, pasi patën shenja të helmimit nga pijet freskuese dhe ushqimi që konsumuan në një lokal pranë stadiumit "Qemal Stafa".

n.e/NOA

KOMENTE