Nga Albin Kurti
Në skenën politike kosovare vazhdojnë kalimet nga njëra parti te tjetra. Këto kalime janë kalime figurash publike, por edhe kalime anëtarësh nga degët e nëndegët partiake. Kalimet e llojit të parë i kuptojmë nga konferencat për media që inaugurojnë kuadrin e ri në parti, ndërsa kalimet e llojit të dytë i kuptojmë sërish nga mediat që raportojnë për numra librezash të reja.
Secila parti përpiqet të na e mbjell përshtypjen se është e fuqishme dhe se po forcohet. Sigurisht, duke qenë të vetëdijshme se pikërisht përshtypja jonë do të mund t'i bënte njëmend të tilla. Mirëpo, të fuqishme për çka? Ku do të aktualizohet fuqia e tyre eventuale? Në votat që do t'i marrin në zgjedhjet e ardhshme, natyrisht. Jo në bashkimin e Mitrovicës ose në hapjen e fabrikave që do të punësonin mijëra vetë. Fuqia që ata duan ta rrezatojnë është fuqi mbi neve qytetarët e Kosovës - fuqi e marrjes së votës sonë dhe jo e të qenit në mbrojtje të të drejtave tona dhe në shërbim të plotësimit të nevojave tona. Kalimet e anëtarëve dhe kuadrove nga partia në parti, janë trajtuar kryesisht nga prizmi i motiveve që mund të kenë pasur ata. Pa dyshim se është mirë të identifikohen arsyet e personit që porsa e ndërroi partinë, dhe asisoj të provojmë që të mësojmë mandej diçka më shumë për partinë ku ai aderoi dhe për partinë që porsa u braktis prej tij. Analistët përgjithësisht kanë konkluduar që kalimet nga kjo parti te ajo tjetra janë bërë për motive personale të kaluesve, thuajse ata që mbetën nëpër partitë e tyre të vjetra na paskan motive krejtësisht tjera. Mirëpo, diçka më e thellë se kaq besoj të jetë më e rëndësishme. Më parë sesa dilemat për motivet e një apo disa personave që e ndërrojnë partinë, pyetja e duhur që duhet ngritur është se çka i bën të mundura kalimet e tilla? Pra, cila është ajo rrethanë, cilat janë ato kushte që e bëjnë kaq të lehtë ndërrimin e partisë? Sepse, të gjithë jemi dëshmitarë, që kur zyrtarë të lartë partish shkojnë nga një parti te tjetra kemi veçse tronditje mediale por jo edhe tronditje partiake. Trajtimi që i është bërë këtyre transfereve zakonisht ka pasur më shumë efekt maskues sesa demaskues, anipse ky mund të mos ketë qenë fare qëllimi i trajtuesve. Shumica e analizave që kanë shtjelluar kalimin nga njëra parti te tjera kanë rënë në grackën e dallimeve artificiale ndërmjet partive që vetë ato duan t'i projektojnë. Trajtimi që niste me motivet individuale të mundshme për ndërrimin e partisë ka përfunduar në potencimin e dallimeve ndërmjet partive. Trajtimi që do të niste me vetë partitë menjëherë do të konstatonte që, për dallim nga dallimet e tyre, e përbashkëta e partive kryesore është marramendëse: që të gjitha ato janë dakord me decentralizimin, privatizimin, ICO-në, EULEX-in, shuarjen e TMK-së, integrimet në BE dhe NATO, mosbashkimin me Shqipërinë, largimin e UNMIK-ut vetvetiu etj.etj. Është pikërisht e përbashkëta e partive më të mëdha politike në Kosovë ajo që si një mal gjigant përbën shtratin e lehtësisë së kalimit nga një parti te tjetra pa kurrfarë sikleti. Duke qenë aq të ngjashme, ato kanë ura të shumta kalimi ndërmjet veti. Duke qenë kaq të ngjashme, ndërrimi i partisë nuk i ndryshon ato. Kur kësaj i shtojmë edhe historinë e tyre të promiskuitetit (fillimisht ishin të trija bashkë në koalicion dhe që prej atëherë dy nga dy: LDK-AAK dhe PDK-LDK), pohimet e llojit ‘shkova në partinë tjetër sepse aty ku isha s'mund të bëja ndryshime' dalin qesharake. Nuk munda të kontribuoj për Kosovën në filan partie, realisht, e ka kuptimin se Kosova nuk po mund të kontribuonte më për politikanin në fjalë në atë parti. Dallimet ndërmjet partive në Kosovë janë dallime të imazhit të tyre statik, të imazhit që është përshtypje kumulative për njerëzit e kryetarit, të imazhit pjesë themelore e të cilit është fytyra e buzëqeshur e kryetarit të partisë. Edhe analizat që u bëhen janë të inkorporueshme. Të jenë më transparentë, më aktivë, më të përgjegjshëm. Ose, thuhet që ata para këtyre kanë vjedhur më shumë a më pak, kanë rrejtur më shumë a më pak, varësisht se cilit taborr i takon analisti. Sidoqoftë, është e qartë që nuk bëhet fjalë për dallime thelbësore, për dallime në qëndrime ideologjike apo në projekte politike. Madje, ideologjia e partive politike e kërkon njëlloj konsistence dhe njëlloj vetëdije diferencuese, ndërkaq këta janë qysh e lyp puna - ashtu siç u thonë, ashtu bëjnë, sepse, ashtu u kanë thënë. E përmbushin ideologjinë e padronëve, jo për shkak të asaj ideologjie por për shkak të padronëve. Dhe, objektivisht, ai që e ka sovranitetin e ka me tamam ideologjinë dhe projektin politik sepse e ka mundësinë dhe garancinë për zbatimin e tyre: pushtetin e vërtetë. Gjithsesi, është ky Pieter Feithi, por edhe Tina Kaidanow e ca të tjerë andejpari. Prandaj, problemi themelor në Kosovë nuk është se cila parti po lobon më shumë jashtë vendit për njohjet e pavarësisë, por fakti që edhe brenda vendit tonë të pavarur duhet lobuar tek vendimmarrësit e vërtetë, e që janë të huajt. Demokracia në Kosovë është paradhomë. Aty presin politikanët e zgjedhur që të lobojnë te ndërkombëtarët. ‘Lobby' në anglisht do të thotë paradhomë ose korridor. Këta s'hyjnë dot në dhomat kur aty merren vendimet, por vetëm presin korridoreve si pacientë. Politika kosovare nuk lobon, pra, vetëm jashtë vendit, por edhe brenda vendit. Jashtë vendit politikanët lobojnë për njohjet e Kosovës, porse brenda lobojnë për njohjen e vetvetes nga qeveritarët e vërtetë ndërkombëtarë. Në këtë situatë, barrikadimi në një parti të caktuar politike nuk është fare politik. Më e çuditshme është pse politikanët kosovarë nuk i ndërrojnë më shumë partitë sesa pse këtë tashmë e bënë disa prej tyre.Â