Tiranë, 29 maj NOA - Mbërrin në Tiranë Ombudsmani Parlamentar për të Drejtat e Njeriut i Republikës së Bullgarisë, Ginyo Ganev.
Ganev do të qëndrojë dy ditë në Tiranë, ndërsa ftesa i është bërë nga homologu i tij, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani.
Ai u prit sot nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryetari i Gjykates Kushtetuese, Vladimir Kristo si dhe nga Kryetari i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Gani Dizdari.
Gjatë takimeve me personalitetet e larta shqiptare, këta të fundit i shprehen Ombudsmanit Parlamentar të Bullgarisë, konsideratat e tyre për punën e Avokatit të Popullit në Shqipëri, duke vënë në dukje integritetin dhe reputacionin e këtij institucioni, të krijuar përmes veprimtarisë së tij për trajtimin e problemeve të ndryshme që shqetësojnë qytetarët shqiptarë në raportet e tyre me administratën publike.
"Privilegji i një Ombudsmani është pikërisht fakti se ai nuk ka pushtet administrativ", vlerësoi gjatë takimeve, Ganev.
"Arma më e madhe e një Ombudsmani është presioni i shoqërisë mbi administratën, duke pasur për objekt të punës së tij mirëqeverisjen.
Duke treguar rastet e keqadministrimit, me kurajo dhe kompetence, ai ushtron kontrollin qytetar të shoqërisë mbi administratën publike, dhe synon me këtë të rrisë besimin e qytetarëve tek shteti i tyre", tha Ganev.
Nga ana e tij, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, vlerësoi faktin e bashkëpunimit të zyrës së tij me zyrat homologë, në kuadër të rritjes së frymës së solidaritetit midis ombudsmaneve, pasi të gjithë ata funksionojnë në të mirë të "mireqeverisjes dhe miradministrimit, të luftës kundër korrupsionit dhe gjithçkaje që mbron dhe promovon të drejtat e njeriut".
k.k/NOA