English

PS, Kodheli në Pogradec: Ne jemi ata që do ta ndryshojnë të ardhmen

Pogradec, 29 maj NOA - Kandidatja për deputete në qarkun e Korçës, Mimi Kodheli, është takuar me gra e vajza të qytetit të Pogradecit, për të prezantuar Programin e Ri Qeverisës.

Sipas Kodhelit, ky program do të marrë jetë pas 28 qershorit dhe do t' vij në ndihmë kujtdo, ndryshe nga programi që Kryeministri Berisha premtoi 4 vjet më parë.

Kodheli preku temën e papunësisë, ku bëri me dije, se përqindja e papunësisë te gratë është shumë mbi përqindjen mesatare të papunësisë në vend, që është një ndër më të lartat në Evropë.

"Janë thënë shumë fjalë dhe janë thënë shumë premtime në emrin tonë këto 18 vjet. Janë shfrytëzuar të gjithë energjitë tona dhe i tërë përkushtimi ynë, dhe është bërë shumë pak. Përqindja e papunësisë te gratë është shumë mbi përqindjen mesatare të papunësisë në vend, që është një ndër më të lartat në Evropë. Sot, në kohën e internetit, analfabetizmi ndër femrat shqiptare rritet me hapa të furishëm" u shpreh Kodheli në Pogradec.

"Në Qarkun e Korçës ka ndër gratë më punëtore të Shqipërisë, por kjo s'ka mjaftuar që ato të jetojnë më mirë, sepse politika e mbrapshtë nuk iu ka dhënë asnjë shans për të demonstruar atë që këto gra janë në gjendje të bëjnë. Ndaj ne do të bëjmë bashkë atë që për 18 vjet nuk u bë. Ne do të jemi bashkë për të shkruar një faqe ndryshe të historisë, faqen e politikës së njerëzve për njerëzit, faqen e dinjitetit për çdonjërën prej nesh. Faqen e një të ardhmeje evropiane për fëmijët tanë, për nënat tona që me aq mund na rritën, për baballarët dhe burrat që na kanë mbështetur. Një faqe të re për Shqipërinë, vendin e të parëve që aq shumë e duam. Zëri jonë tani e tutje do të jetë një tjetër. Këtë ja u premton një grua që ashtu si ju ka punuar, është lodhur. Ka qarë dhe qeshur. Ka punuar dhe ka mësuar një gjë në jetë: Ne jemi ata që do ta ndryshojnë të ardhmen." shtoi më tej Kodheli.

k.k/NOA

KOMENTE