English

PS: Raporti i Amnesty International inkriminon qeverinë për "Gërdecin"

Tiranë, 29 maj/ NOA - Partia Socialiste vlerësoi sot në mesditë përmes një daljeje të posaçme për mediat se çdo ditë po dalin në media fakte të reja për përfshirjen e Kryeministrit në tragjedinë e Gërdecit.

Kandidati për deputet në qarkun e Tiranës, Saimir Tahiri, u tha gazetarëve, duke komentuar raportin e fundit të Amnesty International që u publikua dje se ngre shqetësime sipas tij, se "Sali Berisha ka zgjedhur të heshtë dhe të mos të tregojë të vërtetën mbi shpërthimin që mori jetën e 26 të pafajshmëve".

Sipas Tahirit, në këtë raport Amnesty International, e cilëson tragjedinë e Gërdecit si simbol i nivelit të lartë të korrupsionit shtetëror dhe ngjarje kriminale në të cilën është shkelur haptazi e drejta e jetës.

"Ky raport është dëshmia e radhës se kjo qeveri është jo vetëm e dështuar por edhe simbol i korrupsionit të kthyer në sistem", - deklaroi Tahiri.

Këtu ai lëshoi premtimin se "korrupsioni shtetëror, nepotizmi, abuzimi me pushtetin dhe çdo fenomen abuziv e korruptim që ka karakterizuar mandatin qeverisës të Sali Berishës, do të marrin fund në datë 28 Qershor, datë në të cilën Partia Socialiste dhe qeveria e re me Kryeministër Edi Ramën do të sjellin për çdo shqiptar një Politike të Re për Ndryshim".

e.l/NOA

KOMENTE