Tiranë, 29 maj, NOA - Qendra e Studimeve Parlamentare në bashkëpunim dhe me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur, Soros, në kuadrin e një projekti të përbashkët, do të monitorojë zbatimin e detyrimeve ligjore për financimin e subjekteve zgjedhore në zgjedhjet parlamentare 2009.
Ky proces synon rritjen e transparencës dhe besimit të publikut tek subjektet zgjedhore nëpërmjet monitorimit të detyrimeve ligjore për financimin e këtyre subjekteve. Projekti do të krijojë një bërthamë dhe eksperiencë monitorimi të këtij komponenti të fushatave zgjedhore, e cila si një vlerë në shoqërinë civile do të përdoret dhe zhvillohet në zgjedhjet e ardhshme edhe për monitorime të tjera që kanë objekt financimin e jetës politike.
Disa nga objektivat e programit janë: vendosja e rregullave të qarta dhe të plota që lidhen me financimin e subjekteve zgjedhore; ngritja e një mekanizmi monitorues për vlerësimin e kërkesave ligjore që lidhen me financimin e subjekteve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 2009-es ; vlerësimi i zbatimit të detyrimeve ligjore që lidhen me financimin e subjekteve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, subjektet zgjedhore dhe rëndësia e zbatimit të detyrimeve ligjore që lidhen me financimin e subjekteve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare tw 29 qershorit; përmirësimi i bazës ligjore që lidhet me financimet e fushatave zgjedhore nëpërmjet dhënies së rekomandimeve konkrete; sensibilizimi i votuesve për rëndësinë e transparencës së financimit të fushatave nga subjektet zgjedhore.
Financimi i subjekteve dhe fushatave zgjedhore përbën një nga çështjet që ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në zhvillimin e zgjedhjeve dhe rezultatet e tyre. Mënyra e rregullimit ligjor të kësaj çështjeje, zbatimi dhe vlerësimi në praktikë i respektimit të kërkesave ligjore do të reflektohet në arritjen e standardit për zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe në besimin e publikut tek forcat politike.
Financimet publike synojnë t'u krijojnë shance të barabarta kandidatëve dhe subjekteve politike për të bërë një konkurrim të ndershëm. Por është e rëndësishme që këto financime të jenë transparente, të deklarohen publikisht dhe të respektojnë disa parime ligjore. Në këtë aspekt përmendim mungesën e një mekanizmi për monitorimin, si dhe raportimin e financimeve private gjatë fushatave zgjedhore.
n.e/NOA