Tiranë, 29 maj, NOA - Një projekt i financuar nga USAID-i për të monitoruar mbulimin e fushatës politike të zgjedhjeve parlamentare 2009 në Shqipëri, publikoi raportin e tij të parë, duke paraqitur rezultatet e konstatuara për mënyrën sesi janë trajtuar aktivitetet politike dhe sa hapësirë u është lënë atyre në mediat kryesore shqiptare.
Ky raport u bë i mundur me mbështetjen e Agjencisë për Zhvillim të Shteteve të Bashkuara (USAID).
Ai citon sesi "partitë politike dhe koalicionet më të rëndësishme u mbuluan në mënyrë të pabarabartë në kohë nga televizionet e monitoruara, me përjashtim të Vizion Plus".
Ndër të tjera thuhet se "Tv Klan dhe TVSH treguan një predispozitë të dukshme për t'i vënë në dispozicion më tepër kohë transmetimi PD-së dhe aleatëve të saj të koalicionit "Aleanca e Ndryshimit".
Sipas raportit, Top Channel, Koha TV dhe News 24, vunë më shumë minuta në dispozicion të PS-së dhe aleatëve të saj të "Bashkimi për Ndryshim" nga koalicioni i majtë. Ndërsa "Vizion Plus" ofroi një mbulim të balancuar duke i dhënë kohë të barabartë të gjithë krahëve politikë.
Kurse koalicioneve të të vegjëlve "Aleanca Socialiste për Integrim" dhe "Poli i Lirisë" iu vu në dispozicion më pak kohë transmetimi sesa aleatëve të vegjël të partive të mëdha, pavarësisht peshës së tyre parlamentare.
Për partitë e vogla brenda koalicioneve të "të mëdhenjve", raporti pohon se ato morën kohë të trafikuar nga aleatët e tyre më të mëdhenj.
Koalicionet dhe partitë më të mëdha politike përfituan herë pas here mbulim të njëanshëm nga televizionet e monitoruara, me përjashtim të Koha TV, e cila ofroi një mbulim të balancuar për të gjitha subjektet.
"TV Klan dhe TVSH rezultuan t'u kishin dhënë mbulim pozitiv partive të krahut të djathtë anëtarë të koalicionit "Aleanca e Ndryshimit" dhe më specifikisht PDâ€së dhe PR-së, si dhe ato ofruan herë pas here mbulim negativ për opozitën. Kurse Top Channel dhe News 24 rezultuan t'u kishin vënë në dispozicion mbulim pozitiv PSâ€së dhe aleatëve të saj në koalicionin "Bashkimi për Ndryshim", ndërkohë që po në këto televizione u vu re herë pas here mbulim negativ për PD-në dhe anëtarët e tjerë të koalicionit "Aleanca për Ndryshim", citohet në raportin në fjalë.
Duke shtuar në fund se partitë anëtare të koalicioneve më të vogla si LSI, LZHK, PDK etj, përfituan pak ose aspak mbulim në këto media.
Raporti i shkruar prej Delta Publicity, pohon se ai nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it dhe të qeverisë së SHBA-ve.
n.e/NOA