English

Rezultatet e tremujorit të parë 2009, Alpha Bank rrit depozitat me 21.4 për qind

Tiranë, 29 maj/ NOA - Alpha Bank Greqi shpalli rezultatet e tremujorit të parë 2009, duke raportuar 86 milionë euro fitime neto dhe duke mbajtur Raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit në një nivel prej 7.9% përkundrejt 8% të tremujorit të fundit të vitit 2008.

Janis S. Kostopulos, Kryetar i Grupit tha në një publikim për mediat se, "Alpha Bank ka konfirmuar kapacitetin e fortë për të gjeneruar fitime në këtë tremujor, duke qenë se qasja e kujdesshme e Bankës ndaj huadhënies dhe fokusit në shërbimin ndaj Klientit ndihmoi në përballimin e kushteve të vështira financiare.

"Ne i jemi mbajtur premtimit tonë për të mbështetur ekonominë greke përmes pajisjes me kredi, shumë të nevojshme për Bizneset e Vogla e të Mesme si dhe për individët", - shtoi z. Kostopulos.

Gjithashtu, ne po kontribuojmë, - vijoi ai, - në stabilizimin e rajonit të Evropës Juglindore si pjesë e grupit të Bankave që mbështet përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar në Rumani dhe Serbi.

"Ne kemi besimin se Alpha Bank është e mirë pozicionuar për të përparuar tani si dhe në planin afatgjatë, por një kujdes i veçante do t'i kushtohet gjendjes ekonomike në të ardhmen e afërt", - shtoi Kostopulos.

Veçanërisht në Shqipëri, ku Alpha Bank ka pozicion kryesues me një rrjet prej 47 degësh, biznesi i shitjes me pakicë ka sjelle 2.5 milionë Euro përfitime për këtë periudhë, përmes të cilës huadhënia u rrit me 77.4 për qind dhe depozitat patën një rritje prej 21.4 për qind.

Ndërkohë, Drejtori i Alpha Bank, z. Mantzounis tha se "ne i kemi kushtuar një vëmendje të veçante zbatimit të politikave tona, për të vendosur në fokusin kryesor të Alpha Bank ruajtjen e raporteve te kënaqshme në zërat e bilancit".

Ashtu si dhe në tremujorin e mëparshëm, - vijoi z. Mantzounis, - ne kemi kërkuar të ruajmë një pozicion të qëndrueshëm likuiditeti, të forcojmë masat parandaluese, të forcojmë aktivet e ponderuara me riskun si dhe te rrisim kapitalin bazë.

Gjithashtu, z. Mantzounis tha se janë marrë masa të tjera për të ruajtur përfitimet, përfshi këtu uljen e kostos së depozitave me afat dhe duke ri-balancuar devijimet e aktiveve tona. "Në të njëjtën kohë, - theksoi z. z. Mantzounis, - po fokusohemi në mbledhjen dhe stabilizimin e kostos bazë".

e.l/NOA

KOMENTE