Nga Bart Staes* Nëse hedhim një vështrim retrospektiv dhe përqendrohemi në vitin 2009, mund të vlerësojmë bindshëm se Evropa ka shënuar përparime dhe ka evoluar dukshëm dhe në aspektin human. Konfliktet nuk mund të zgjidhem në mënyrë të sforcuar, me imponime dhe dhunë, por ato, duhet të rezultojnë pozitivisht me dialog, marrëveshje dhe drejtësi. Janë evidente rastet e ditëve tona kur Bashkimi Evropian me mekanizmat e veta provon të arrijë të realizojë perspektivë paqësore për parandalimin e konflikteve. Tani Unioni Evropian konsiderohet zonë paqeje për mëse 490 milionë qytetarë.
Sipas mendimit tim, unifikimi dhe integrimet Evropiane janë projekte paqe për parandalim konfliktesh, stabilizim, prosperitet dhe sidomos mirëqenie njerëzore. Konsideroj se Evropa nuk mund të jetë simbol i një gjysheje kolerike vetëm atëherë kur gabimet shndërrohen në faje, dhe si pasojë e mosvigjilences, situatat degjenerojnë dhe eskalojnë. Evropa po merr përgjegjësi siç është rasti Kosovës me zëvendësimin e UNMIK-ut me EULEX-in, mision ky i cili ka për kompetencë, jo vetëm që të mbështet shtetin e së drejtës, por dhe të bëjë reforma në dikasterin e drejtësisë dhe policisë. Zëri i Parlamentit Evropian po bëhet gjithnjë më i zëshëm dhe si forum në mënyrë të shkëlqyer po tërheq vëmendjen për gabimet e bëra në skenën ndërkombëtare. Ta zëmë? Parlamenti Evropian që prej 20 vitesh ndan çmimin Sacharov për individë dhe organizma të përkushtuara për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Çmimi Sacharov ka rëndësi dhe ndikim te madh. Andaj edhe zt. Rugovës, më 1998 i është dhënë (dedikuar) çmimi Sacharov për veprimtarinë paqësore kundër dhunës dhe shtypjes së Kosovës nga Serbia. Me të drejtë jo rrallëherë është quajtur Gandhi i Ballkanit për shkak të mënyrës së angazhimit të tij në rezistencën paqësore pa dhunë. Unë e kam takuar Rugovën për herë të parë në korrik te vitit 1990 në Strasburg. Më kujtohet fare mirë se si ka mundur të pranoj një delegacion nga Kosova të udhëhequr nga zt. Rugova duke qenë i përballur me ngulmin e madh kundërshtues të Ambasadës jugosllave. Gjatë viteve vijuese e kam takuar edhe në kontekste tjera. Rugova kishte në spikamë kërkesën e fuqishme për njohjen urgjente të Kosovës duke pasur për opsion edhe garantimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Ai, personalisht, nuk arriti ta realizojë ëndrrën e kamotshme, sepse vdiq më 21 janar 2006. Përafërsisht, dy vjet më vonë, më 17 shkurt 2008, Parlamenti i Kosovës shpalli Pavarësinë si rrjedhojë që Serbia kishte refuzuar planin e paqes nga z. Ahtisaari, ish Presidenti i Finlandës. Ata që kishin koncept të qartë politik për Kosovën, nuk besonin që Kosova të kalojë përsëri si pjesë e Serbisë pas 9 vjet mbikëqyrje nga Kombet e Bashkuara pas 20 vjet diskriminimi. Për mua Serbia e kishte humbur Kosovën që nga vitet 90-ta. Mundësia dhe mënyrë e vetme që serbët dhe shqiptarët të bashkëjetojnë është që të dy kombet, brenda një periudhe pak sa më të gjatë, të integrohen në Bashkimin Evropian. Ja, përse Unioni Evropian duhet të vejë në lëvizje të gjithë mekanizmat për të siguruar paqe dhe stabilitet për Kosovën dhe gjithë Ballkanin: - EULEX-i duhet të ndihmojë në ndërtimin e një shteti me të drejta efektive në të gjithë Kosovën; - Serbia të përmbush disa kushte që të pranohet në BE: - të kërkojë falje për të gjitha krimet monstruoze të së kaluarës, të angazhohet në mënyrë efektive për zbardhjen e fatit të zhdukurve, të ndërpresë financimin e aparthedit në Kosovë dhe të njohë sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të ri. Mesazhi im i fundit, për të cilin insistoj thellësisht se Evropa është projekt paqeje sepse edhe armiqtë e vjetër tani bashkëpunojnë me decenie të tëra dhe madje shekullore. Ky bashkëpunim nuk është gjithmonë i qenësishëm, por megjithatë vërehen përparime de-facto të Europës. Sa më i ngadaltë të jetë procesi i realizimit të shpresave dhe optimizmit racional, aq më e madhe do të jetë përballja me kritikët e atij procesi. Ballkani është i tillë. Kjo është bindja ime e palëkundur. (*) Autori është deputet i Parlamentit Europian. Ky shkrim është shkruar për Express, me rastin e botimit të librit "Për një Europë tjetër"