Uashington, 29 maj, NOA - Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur qëndrimin e tyre se nuk është e thënë që Serbia të njohë Kosovën patjetër për t'i përmirësuar raportet me to, por ama kushti për të bashkëpunuar me EULEX-in është i padiskutueshëm.
Një fakt të tillë e ka pohuar zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Stuart Jones, i cili ka deklaruar se sekretarja Hillary Clinton ka konstatuar se Serbia është duke bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës dhe ky konstatim i saj do të përfshihet në dokumentin zyrtar të SHBA-ve, më 1 qershor. Megjithatë, Jones ka theksuar se SHBA-të do të vazhdojnë të insistojnë në arrestimin e të kërkuarit nga Tribunali i Hagës, Ratko Mlladiç. Duke folur për marrëdhëniet SHBA-Serbi, Jones e ka cilësuar vizitën e zv/presidentit Biden si shumë të suksesshme - gjatë se cilës është përcjellë porosia kyçe se, "SHBA-të dëshirojnë marrëdhënie më të mira me Serbinë". Në këtë drejtim, a ka thënë se SHBA-të nuk kërkojnë nga Serbia të njohë Kosovën si kusht për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve., por problem i vetëm që do të mund të krijohej, sipas tij, mes këtyre dy vendeve, do të ishte ndërprerja e bashkëpunimit me EULEX-in. Njëkohësisht, ai ka thënë se serbët në Kosovës duhet t'i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe ato nuk guxojnë të cenohen, mirëpo ka shtuar se, është e papranueshme që këto të drejta të kërkohen me dhunë.