English

Zbardhet vrasje e bujshme mes shqiptarësh, në lagjen luksoze të Athinës

Athinë, 29 maj/NOA - Policia antikrim e Athinës publikoi sot pasdite rezultatet e hetimit 15 mujor për vrasjen e një 45-vjeçari shqiptar, punonjësi i një dyqani i vrarë në një lagje luksoze të Athinës.

Policia tha se krimi i shëmtuar që u pasua nga 13 vrasje të tjera, ka për autorë tre të rinj gjithashtu shqiptarë, një prej të cilëve është vrarë, i dyti gjendet në burg për tjetër krim dhe i treti, është arratisur dhe fshihet në Shqipëri.

I riu në burg, ka pranuar krimin dhe i ka rrëfyer policisë çdo detaj, duke pranuar se 200 euro ishte shifra që i nxiti të kryejnë vrasjen në plaçkitje.

Ngjarja

Grabitja e përgjakshme ndodhi 28 shkurtin e vitit të kaluar në një dyqan ku ishte i punësuar 45-vjeçari shqiptar, në lagjen "Poseidonos" në Paleo Faliro, zonë luksoze buzë detit. I ndjeri, baba i tre fëmijëve, punonte gjatë ditës në ndërtim dhe natën në dyqan, në përpjekje për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për familjen me pesë frymë.

Në orën 05.00 të mëngjesit, tre djemtë shqiptarë rrethuan 45-vjeçarin dhe e qëlluan me të shpejtë, me pistoletat që mbanin në duar. Pasi e lanë të vdekur në vend, rrëmbyen 200 euro që gjetën në kasë dhe u zhdukën.

Më herët, dy ditë para vrasjes, ata gjithashtu kishin grabitur me armë një pikë karburanti në "Petralona" pa viktima.

"Pas hetimesh që zgjatën 15 muaj, arritëm të zbardhim vrasjen e 45-vjeçarit që ka për autorë tre të rinj nga Shqipëria", thanë zyrtarët e policisë së Athinës.

Sipas tyre,

"Një prej të treve, 20-vjeçar, mbeti i vrarë 45 ditë pas grabitjes, më 8 prill 2008 gjatë përplasjes me armë për larje hesapesh për afera narkotike, mes dy bandash rivale në "Agjio Pantelimona" të Athinës, i dyti, një 18-vjeçar gjendet në burg, pasi hetohet për grabitje tjetër dhe i treti, një 19-vjeçar, ka arritur të largohet nga Greqia dhe strehohet në Shqipëri", - detajoi policia, për korrespondentin e NOA.

Ajo sqaroi se në masakrën e "Agjio Pantelimona", viktima 20-vjeçar i mori jetën me automatik dy personave të bandës rivale, njërin prej të cilëve e qëlloi me nëntë plumba në trup dhe të dytin me pesë të tjerë, dy prej të cilëve në kokë, duke u siguruar vdekjen që të dyve. E gjithë ajo ngjarje, solli 13 të vrarë mes dy bandave rivale shqiptare.

"Gjatë hetimit ne arritëm të zbardhim se vrasja e 45-vjeçarit ishte kryer nga 20-vjeçari që u ekzekutua në vrasje të dyfishtë, 18-vjeçari që para disa muajsh u arrestua për një tjetër grabitje dhe nga dëshmitë e mbledhura, identifikuam dhe një 19-vjeçar shqiptar që është arratisur në Shqipëri", - u shpreh policia e Sektorit të Krimit kundër Personit në Athinë.

Ajo pranoi se e zbardhi vrasjen nga rrëfimi i detajuar që dha adoleshenti aktualisht në burgun e Koridhalosit, i cili cilësohet si protagonist kryesor në masakër.

Ngjarja e 28 shkurtit 2008 solli reagime të forta nga qytetarët dhe politika. Ministri i Rendit Publik atëherë premtoi se zbardhja e krimit ishte çështje ditësh por në të vërtetë u deshën mbi 15 muaj.

n.s/NOA

KOMENTE