Venezuelë, 30 maj, NOA - Në kuadrin e festimeve me rastin e ardhjes së tij në pushtet prej 10 vjetësh, presidenti venezuelian, Hugo Chavez ka filluar një edicion katërditor të programeve të tij televizike dhe radiofonike, të titulluar "Alo President".
Lidhur me këtë edicion special, Chavez ka deklaruar se ai do të transmetohet nga sot, deri ditën e dielë në mbrëmje, por do të ketë sigurisht, edhe disa intervale në mes.
Ai e ka përdorur vazhdimisht këtë program për të prezantuar inciativa të qeverisë dhe për të kritikuar kundërshtarët politikë si ish presidenti amerikan, George Bush, por opozita venezueliane e ka dënuar këtë transmetim maratonë si një mjet publicitar.
Ai e hapi programin me një thirrje ndaj qeverisë për të bërë më shumë ndaj grupeve private mediatike që ishin duke u përpjekur të helmonin opinionin publik.
Presidenti tha se nëse autoritetet nuk arrinin të merrnin masa ai do të vepronte vetë.
"Nëse nuk merren masa nga autoritetet respektive, atëherë do të veprojë vetë dhe më duhet ta përsëris, siç kam bërë edhe në raste të tjera, kur kam qënë përballë defiçiencës dhe vakumit që kemi ende në disa dikastere të shtetit," tha presidenti Chavez.
n.e/NOA