Fier, 30 maj/ NOA - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka qenë në qytetin e Fierit ku ka prezantuar kandidatët për deputetë të këtij qyteti.
Rama bashkë me ekipin e deputetëve të Fierit u kanë kërkuar votën banorëve të Fierit për ta bërë Shqipërinë moderne, evropiane për t;i dhënë një hov zhvillimit ekonomik e social të panjohur deri më sot.
Edi Rama është ndalur për disa çaste dhe tek fakti se do donte që në këtë prezantim të ishte dhe deputeti i ndjerë Fatmir Xhindi teksa ka prezantuar dhe të birin Anduelin si deputetin më të ri në moshë për qarkun e Fierit.
Më tej, Rama ka përdorur tone të larta duke ngjallur siguri në bindjen se ai do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit:
"Pas 28 ditësh unë dua ta sjell qeverinë e Shqipërisë te ju, dua ta çoj në çdo qytet e në çdo fshat, dua ta bëj një instrument ndryshimi në duart tuaja. Të gjithë shqiptarëve e shqiptareve që e duan Shqipërinë, qytetin dhe fshatin e tyre, të ndryshoj siç ka ndryshuar Tirana në këto vite suksesi", - tha Rama.
Kurse bëri një thirrje ndaj qytetarëve të Fierit: "Mos e çoni votën tuaj dëm, mos e çoni votën tuaj kot, mos e hidhni fuqinë e investimit që keni në dorë, dhe që demokracia ua jep qytetarëve në një drejtim të njohur, në atë drejtim ku prej 18 vjetësh kjo fuqi kthehet vetëm në një mundësi përfitimi për politikanët".
Për Ramën, pas 28 ditësh, ndahen dy rrugë: rruga e vjetër e këtyre 18 viteve, që do të thotë edhe 4 vjet të tjera me Sali Berishën, me koalicionin e Gërdecit dhe të tjera trazira e zullume, që mund të vijnë nga të gjitha anët, në rast se vota nuk shkon për Partinë Socialiste dhe rruga tjetër, rruga jonë e re, që kërkon zemër e kurajë për të parë larg, aty ku i çoj parafytyrimi të parët tanë, që na lanë amanetin e Shqipërisë zonjë dhe aty ku na çojnë këmbët e brishta të ëndrrave të fëmijëve tanë.
k.k/NOA