English

Një punë tjetër e pambaruar në Ballkan - çështja kombëtare shqiptare: Çka duhet të bëhet?

Tiranë, 30 maj/NOA - Me moton "Një punë tjetër e pambaruar në Ballkan - çështja kombëtare shqiptare: Çka duhet të bëhet?", Fronti Për Bashkim Kombëtar Shqiptar - FBKSH, ka nisur një letër të hapur, drejtuar Institutit për Paqe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën më poshtë e gjeni të plotë:

FRONTI PËR BASHKIM KOMBËTAR SHQIPTAR - FBKSH SEKRETARIATI VENDIMMARRËS I FBKSH PROT. NR. 011-09-05-30 {AKT PUBLIK} Letër e hapur, drejtuar: Institutit për Paqe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Instituti për Paqe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës para disa ditëve për Ballkanin ka botuar raportin "Puna e pambaruar në Bosnjë e Hercegovinë: Çka duhet të bëhet?" e autorëve Kurt Bassuener dhe James Lyon.

Është e vërtetë, çështja e Bosnjës përbën një problem të pazgjidhur në Ballkan, për shkak të faktit se bashkësia ndërkombëtare, e shkëputur tërësisht prej situatës reale në rajon, ka zbatuar në Dejton projektin artificial "multietnik" vetëm për t'ia kënaqur Serbisë teket serbomëdha për formimin e një entiteti të pastër serb brenda Bosnjës, model që pa dyshim, shovenët serbë duan ta zbatojnë tani edhe në Kosovën "multietnike" me anë të decentralizimit të "komunave me shumicë serbe" të lidhura horizontalisht mes tyre dhe vertikalisht me Beogradin.

Përgjithësisht, bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në Ballkan me anë të projekteve multietnike, që nuk kanë krijuar dhe nuk do të krijojnë kurrën e kurrës një paqe të qëndrueshme, por vetëm kanë konservuar dhe do të konservojnë për më vonë konfliktet, që mund në të ardhmen të shpërthejnë prapë me një intensitet më të madh, sepse problemet e grumbulluara në "bashkëjetesë" po majmën dita-ditës gjithnjë e më shumë.

Zonja dhe zotërinj të Institutit për Paqë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Përveç Bosnjës, një punë tjetër e pambaruar në Ballkan është çështja shqiptare. Në përbërjen e saj ka jo vetëm një aspekt historik të kaluar dhe ishte lufta e pandërprerë e të gjithë shqiptarëve kundër zgjedhës osmane dhe formimit të një shteti të vetëm etnik kombëtar e zhvilluar deri në vitin 1912, por edhe një përmasë politike aktuale - në kuptimin e ngushtë taktik implikon çlirimi i të gjithë trojeve shqiptare të mbetur nën pushtimin serbo-sllavo-maqedonas dhe malazez dhe formimi i një shtet të vetëm kombëtar shqiptar i emëruar Shqipëria Natyrale, i përbërë nga trojet, të banuara sot prej shqiptarëve, kurse në domethënien e gjerë strategjike nënkupton riatdhesimin e të gjithë shqiptarëve dhe pasardhësve të atyre banorëve që u dëbuan nga Toplica (prej serbëve, më 1878) dhe Çamëria (prej grekëve) dhe bashkëngjitja e tyre Shqipërisë Natyrale dhe formimit të Shqipërisë Etnike.

Kjo çështje (në kuptimin e ngushtë) është lindur në formën e saj politike, kur fuqitë të mëdha evropiane të asaj kohe kanë pranuar në Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, pushtimet dhe kolonizimet e ushtrive serbo-malazeze-greke të Kosovës historike, Çamërisë dhe Tivarit, Plavës, Gucisë, Tuzit, etj. që (aktualisht janë nën sundimin malazez). Prandaj, çështja shqiptare nuk është zgjedhur tërësisht me pavarësinë e Kosovës.

Për herë të parë që prej Konferencës së Londrës, Kosova e ngushtë (nën Protektoratin e UNMIK-EULEX-it), formalisht u shpëtua prej sundimit serb, ushtria dhe policia serbe nuk gjakos më popullin shqiptar, siç e ka bërë vite më radhë. Por bashkësia ndërkombëtare akoma nuk i ka lënë Kosovës të drejta të tërësishme të vetëqeverisjes dhe të vetëvendosjes; kjo vetëvendosje iu mohua rrënjësisht Kosovës duke siguruar vazhdimësinë e Protektoratit ndërkombëtar, i përforcuar edhe me praninë e EULEX-it me qëllim që kjo trevë shqiptare të jetë e pavarur vetëm nga Shqipëria, por jo nga Serbia.

Në projektimin e brendshëm të marrëdhënieve etnike, nuk ka reciprocitet.

Serbët, më shumë se 5% të popullatës së Kosovës kanë më shumë të drejta se sa 95% të popullatës, duke mos lëshuar se procesi i vendimmarrjes të bëhet pa ta (rrjedhimisht, pa kontrollin e Serbisë).

Korrektësia e marrëdhënieve etnike është shkelur rrënjësisht në pakon Ahtisaari, ku po i sigurohet Kosovës "një ardhmëri të lumtur" sipas modelit të Bosnjës, sepse kjo pako u kopjua ndërgjegjshëm nga nxënësi i mirë i Serbisë, Marti Ahtisaari prej planeve të kolonizimit, kontrollit dhe sundimit të popullsisë serbe mbi popullsinë shqiptare, siç po dëshmon materiali i Institutit Gjeostrategjik të Beogradit, i zbuluar nga Sigurimi Kombëtar Shqiptar (SKSH), strukturë inteligjente e Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH).

Për më tepër, të drejtat që u akordohen serbëve në Kosovë nuk po u akordohet shqiptarëve të ndodhur nën sundimin dhe kolonizimin klasik të Serbisë ( Kosova Lindore -Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), IRJM-së (Ilirida) dhe Malit të Zi (Ulqin, Tivar, Tuz, Plavë, Guci etj). Nëse "pakoja Ahtisaari" zbatohet me përpikëri në Kosovë për serbët, përse të mos zbatohet për shqiptarët të kolonizuar në viset të lartpërmendura, kur farsa e "marrëveshjes së Ohrit" (për Iliridën) dhe e "marrëveshjes së Konçulit" (për Kosovën Lindore) ka dëshmuar se sllavët nuk po duan aspak të zbatojnë detyrat e tyre, as nuk janë detyruar me mjete shtrënguese nga ana ndërkombëtare t'i zbatojnë.

Shqiptarët e Iliridës nga Marrëveshja e Ohrit dita - ditës e më shumë po terrorizohen nga sllavo-maqedonët, ish-luftëtarët janë arrestuar, populli është bastisur nga paraushtarakët "Alfa", ushtria ndërhyn, shkatërron fshatrat shqiptare, si në Brodec dhe burgos e torturon fshatarët të pafajshëm. Marrëveshja u respektua vetëm nga shqiptarët që ndërpriten luftimet dhe çmilitarizuan Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, duke pranuar se "sovraniteti dhe integriteti i IRJM-së janë të paprekshme dhe duhet të ruhen" (neni 1.2. i Marrëveshjes).

Edhe në Kosovën Lindore (Preshevë-Bujanoc-Medvegjë) serbët kanë shkelur marrëveshjen e Konçulit duke treguar muskujt me rimilitarizimin e rajonit. Xhandarmëria serbe terrorizon shqiptarët, me qëllim që dalë-ngadalë të boshatiset vendi prej shqiptarëve. Medvegja është pastruar mbi 95% nga shqiptarët.

Bashkësia ndërkombëtare "harron" dhe asnjëherë nuk shtron pyetjen e 30.000 shqiptarëve të dëbuar nga Presheva-Bujanoc në kohën e luftës, siç edhe harron se këto plane të spastrimit etnik dhe kolonizimit kurrë nuk i kanë pasur shqiptarët, por qendrat sllavo-greke, të cilat kanë dëbuar masovikisht shqiptarët prej trojeve të veta, duke filluar me shqiptarët e Toplicës së ish-sanxhakut të Nishit (në 1878) dhe të Çamërisë (1945), duke vazhduar me "marrëveshjen xhentelmene" midis Serbisë dhe Turqisë, ku për pasoje më shumë së 200.000 shqiptarë të Kosovës - Iliridës u dëbuan në Turqi...!

Zonja dhe zotërinj të Institutit për Paqe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Republika e sotme e Shqipërisë është i vetmi shtet në botë që kufizohet, për shkak të proceseve koloniale antishqiptare, me trojet dhe popullin e vet etnik. Kufijtë artificiale që u vendosin mbi trupin e Shqipërisë Natyrale po i pengon shqiptarët të zhvillohen dhe të jetojnë denjësisht në Evropën moderne e shekullit XXI. Këto kufij artificiale dhe koloniale patjetër se do të lëvizin, sepse populli shqiptar i ndarë dhe i kolonizuar në trojet e veta nuk po pranon më të jetojë në skllavërinë sllavo-greke. Pas luftërave çlirimtare krahinore të vitit 1998-2001 (Kosovë, Kosovë Lindore, Ilirid), populli shqiptar ka punuar politikisht për zgjidhjen e tij koloniale në mënyrë të drejtë, duke kërkuar mbarimin e kolonizimit të egër mbi ta. Njëkohësisht është organizuar më mirë dhe më fuqimisht, duke treguar se në kontekstin e globalizimit dhe integrimit euro-atlantik, çështja kombëtare shqiptare nuk është një diskutim bosh dhe se nacionalizmi nuk është një modë të tejkaluar.

Instituti i Paqes së SHBA-ve duhet t'i shtrojë një pyetje vetes dhe masmedias së gjerë, çfarë është ndryshuar në 150 vjet të fundit në mënyrën e trajtimit të gjendjes në Ballkan në raportet midis Fuqive të Mëdha dhe kombeve prej Gadishullit, më konkretisht nëse ekziston një dallim midis Marrëveshjes së Berlinit (1878), Vendimeve të Londrës (1913) dhe menaxhimi i konflikteve në rajon prej bashkësisë ndërkombëtare të tanishme. Këto raporte që kërkojnë mbajtjen e ekuilibrit të forcës midis Fuqive të Mëdha në dëm të lirisë së kombit shqiptare janë dhe do të mbeten luftënxitëse. Mungesa e lirisë krijon perspektiva për luftëra të ardhshme çlirimtare dhe antikoloniale të shqiptarëve në Ballkan, ku ekziston një çështje unike kombëtare koloniale shqiptare.

Kjo çështje mund të zgjidhet vetëm e vetëm me revokimin e vendimeve të padrejta të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, me organizimin e një Konferencë - Londra 2, që do të pranonte ribashkimin e trojeve të banuara nga shqiptarët në një shtet të vetëm kombëtar, duke marrë parasysh se kombi shqiptar ka ushtruar të drejtën e tij të vetëvendosjes në Kuvendin e Vlorës që shpalli pavarësinë kombëtare të Shqipërisë Natyrale me të gjithë trevave etnike shqiptare. Kjo e drejtë duhet të njihet, edhe pse me vonese nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, nëse dëshirohet të ketë paqe dhe stabilitet në rajon.

Me respekt dhe konsideratë të larta!

Gafurr ADILI, Zëdhënës Politik (Përfaqësues Publik) i FBKSH-së

KOMENTE