English

Partizani bie nga kategoria për herë të dytë pas 10 vitesh

Tiranë, 30 maj, NOA - Ekipi i Partizanit ka zbritur një kategori më poshtë, duke shënuar precedentin e dhjetë viteve më parë, kur ra nga kategoria në fund të sezonit futbollistik 1998-1999.

Ndeshja që shkaktoi këtë ngjarje jo të zakontë për ekipin e njohur shqiptar të futbollit, ka qenë ajo me Kastriotin, ku të kuqtë u mundën me rezultatin 1-0 pas një goli të shënuar në pjesën e parë nga Prela, gjë e cila do t'u kushtojë lojën në një kategori më poshtë gjatë sezonit të ardhshëm futbollistik në vendin tonë.

Në fakt, anësori Arjan Mali ka anuluar një gol të rregullt të shënuar nga lojtari i kuq Bega në pjesën e dytë, gjë e cila shkaktoi një acarim të paparë në radhët e kampit të Partizanit, duke mos kursyer as një grusht ndaj tij të dhënë nga presidenti i klubit Albert Xhani, i cili iu vërsul Malit edhe në prani të policëve.

Tensioni ka qenë në përmasa të frikshme dhe ka vazhduar edhe një orë pas ndeshjes në stadiumin Niko Dovana të Durrësit.

Mbi 1 mijë tifozë prisnin jashtë dyerve të stadiumit gjyqtarin anësor, duke mos munguar as incidentet e shumta. Partizani bie për herë të dytë nga kategoria pas vitit 2000, ndërsa ai është ekipi me më shumë tifozë në Shqipëri.

n.e/NOA

KOMENTE